Kristian Shpendi më në fund ka marrë ftesën e shumëpritur për t’iu bashkuar Kombëtares A të Shqipërisë. Sulmuesi kuqezi, në të kaluarën pjesë e U19 dhe U21, ia ka dalë t’i mbushë mendjen trajnerit Silvinjo për grumbullimin e muajit shtator dhe pritet të jetë tashmë rregullisht me ekipin A.
Mediat italiane bëjnë të ditur se në zyrat e Çezenës, klub ku Shpendi është kthyer në një bomber të mirëfilltë fillimisht në Serinë C, e pastaj në Serinë B, ka mbërritur ftesa për lojtarin për dy ndeshjet e javëve të ardhshme të Shqipërisë.
E para, një miqësore kundër Gjibraltarit, ku padyshim Silvinjo mund të eksperimentojë edhe me sulmuesin në fushë. Ndërsa e dyta, më e rëndësishmja, ajo zyrtare ndaj Letonisë për kualifikueset e Botërorit.
Në fakt, ftesa për Shpendin pritej prej kohësh, por për një arsye apo tjetrën, Silvinjo e ka lënë gjithmonë sulmuesin jashtë planeve të tij në vitin e fundit, ndonëse ai ishte një nga lojtarët më në formë shqiptarë në repartin e avancuar gjatë kësaj periudhe.