Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, deklaroi sot gjatë një aktiviteti publik se, sipas saj, nuk ekziston nevoja për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Ajo argumentoi se zgjedhje të tilla mund të jenë të justifikuara vetëm në rast të paralizës së institucioneve apo nëse shumica parlamentare është realisht e brishtë.
“Po, do të kemi zgjedhje të rregullta lokale. Zgjedhjet lokale e pasqyrojnë disponimin e qytetarëve, ndonjëherë janë tregues për testimin e suksesit të qeverisë, por absolutisht nuk ka nevojë për zgjedhje parlamentare,” deklaroi Presidentja, duke shtuar se institucionet aktualisht janë funksionale dhe nuk ka arsye për ndërprerjen e mandatit të Kuvendit.
Por ndonëse mesazhi i Presidentes synon të komunikojë stabilitet institucional dhe vazhdimësi të rendit kushtetues, ekspertë dhe njohës të sistemit politik të vendit paralajmërojnë për një lexim më të thelluar të situatës aktuale.
Maqedonia e Veriut funksionon si një demokraci konsociative, ku përveç shumicës së thjeshtë parlamentare, aplikohet edhe mekanizmi i Badinterit – një formulë që kërkon shumicë të dyfishtë, përfshirë edhe mbështetjen e shumicës së deputetëve të komuniteteve joshumicë, kryesisht atij shqiptar.
Në këtë kontekst, largimi i mundshëm i 5 deputetëve të Aleancës për Shqiptarët nga shumica aktuale parlamentare ndryshon ndjeshëm balancën ndëretnike të përfaqësimit politik. Si pasojë, pjesa më e madhe e deputetëve shqiptarë do të kalonte në opozitë, duke çuar në një mungesë të legjitimitetit konsociativ të shumicës qeverisëse.
Kjo situatë nuk përbën domosdoshmërisht paralizë të institucioneve, por ngre pikëpyetje serioze mbi koherencën politike dhe përfaqësuese të Qeverisë, duke e bërë të nevojshëm një “skanim” qeveritar për të reflektuar realitetin e ri parlamentar. Përndryshe, sipas njohësve të çështjeve kushtetuese, rrezikohet jo vetëm qëndrueshmëria politike, por edhe fryma e bashkëjetesës ndëretnike qëndron në themel të modelit institucional të vendit.
Në kushtet kur zgjedhjet lokale po afrohen dhe dinamikat politike brenda dhe jashtë qeverisë janë të lëvizshme, çështja e legjitimitetit dhe përfaqësimit të drejtë do të vazhdojë të mbetet në qendër të vëmendjes – me apo pa zgjedhje të parakohshme.