Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, reagoi sot pas katër ditëve lidhur me incidentin e ndodhur në sallën “Maqedonia” në Kumanovë gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë dhe Rumanisë, ku u bënë thirrje me gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve.
Në një deklaratë publike, presidentja Siljanovska-Davkova e cilëson ngjarjen si të turpshme dhe thekson se urrejtja dhe racizmi nuk kanë vend në asnjë fushë sportive.
Ajo e krahasoi këtë rast me incidentin e mëparshëm që ndodhi në mes të korrikut gjatë ndeshjes ndërmjet Shkëndijës dhe ekipit uellsian TNS, kur futbollisti Armand Ote u ofendua në mënyrë raciste nga një tifoz. Sipas saj, ky lloj sjelljeje i njollos jo vetëm ndeshjen dhe sportin, por edhe klubin, qytetin dhe shtetin, duke theksuar se përfaqësimi i tillë i Maqedonisë në sytë e botës është i papranueshëm.
“Nuk është sportive të keqpërdoret fusha e lojës për të ‘ushtruar’ gjuhën e urrejtjes, për të ofenduar dhe demonizuar me fjalë të helmuara e vrasëse. Me këtë akt nuk u goditën vetëm shqiptarët, por të gjithë ne, përfshirë edhe vetë ata që i shqiptonin ato fjalë,” shkroi presidentja. Ajo propozoi që para çdo ndeshjeje të lexohet një mesazh i drejtuar tifozëve, ku të theksohet qartë se sporti është garë fisnike dhe jo betejë me armë verbale. Sipas saj, publiku duhet të jetë burim mbështetjeje dhe motivimi, jo mjet përçmimi dhe përçarjeje. Ajo theksoi nevojën për të kultivuar dhe fisnikëruar mënyrën e mbështetjes në sport, për të luftuar paragjykimet dhe ndasitë, si dhe për të ndaluar shpërthimet e urrejtjes përmes reagimit të shpejtë dhe sanksionimit të duhur. (INA)