Në një kohë kur siguria ushqimore është kthyer në një nga çështjet më të ndjeshme në popullatë, qeveria ka hedhur për diskutim një projektligj të ri, që synon të forcojë kontrollet dhe të vendosë rregulla më të qarta mbi tregun.
Ministria e Bujqësisë ka hartuar një projektligj të ri “Për kontrollet zyrtare”, i cili është hedhur për konsultim publik. Ky draft, i përgatitur mbi bazën e direktivave europiane, përcakton në detaje se si do të kryhen kontrollet, kush do të mbajë përgjegjësi, cilat institucione janë autoritetet kompetente dhe mbi të gjitha, si do të financohen këto procese.
LIGJI
Projektligji nuk kufizohet vetëm tek ushqimi që përfundon në tryezën e konsumatorit, por përfshin çdo hallkë të zinxhirit: që nga kafshët në ferma e deri te produktet organike në raftet e supermarketeve. Kontrollet do të kryhen mbi bazë risku, duke marrë parasysh jo vetëm sigurinë ushqimore, por edhe integritetin, cilësinë dhe gjurmueshmërinë e produkteve. Në dokument parashikohet se autoritetet do të monitorojnë edhe shëndetin e bimëve, përdorimin e pesticideve, etiketimin e produkteve organike dhe madje edhe emërtimet e mbrojtura të origjinës apo specialitetet tradicionale të garantuara. Një nga risitë kryesore është përcaktimi i qartë i autoriteteve kompetente.
Ministria e Bujqësisë do të ketë rolin koordinues qendror, ndërsa struktura të dedikuara si IPKZ (institucioni përgjegjës për kontrollet zyrtare) apo IPKPKK (kontrollet në pikat kufitare) do të mbajnë mbi shpatulla barrën e inspektimeve. Për të garantuar profesionalizmin, veterinerët dhe zyrtarët përgjegjës për shëndetin e bimëve do të emërohen me shkrim dhe do t’u nënshtrohen trajnimeve të vazhdueshme. Nga ana tjetër, ligji parashikon auditime të rregullta të brendshme për vetë autoritetet, me qëllim shmangien e abuzimeve dhe garantimin e transparencës. Një herë në vit, qytetarët do të kenë mundësi të informohen publikisht për numrin e kontrolleve, rastet e shkeljeve dhe masat e marra.
PENALITETET
Ashtu siç thekson edhe dokumenti i Ministrisë së Bujqësisë, një tjetër risi është vendosja e tarifave për operatorët ekonomikë. Këto tarifa do të shërbejnë për të mbuluar kostot e kontrolleve zyrtare. Operatorët që shkelin ligjin do të përballen me gjoba të ashpra, të cilat pritet të funksionojnë si mekanizëm parandalues.
“Kostoja e mosrespektimit të ligjit do të jetë më e lartë se respektimi i tij”, – thuhet në relacionin shoqërues.
Projektligji e ngarkon industrinë me detyrime të reja. Operatorët duhet të garantojnë akses për inspektorët në çdo moment, të vendosin në dispozicion dokumentacionin dhe të bashkëpunojnë me autoritetet. Për çdo vendim të marrë, ata do të kenë të drejtë ankimi, por kjo nuk i përjashton nga masat e menjëhershme që mund të ndërmerren në rast rreziku për shëndetin e publikut. Me këtë nismë, Shqipëria afrohet edhe më shumë me standardet e Bashkimit Europian në fushën e sigurisë ushqimore. Struktura e propozuar për kontrollet, transparenca e detyrueshme dhe rregullat e reja për financimin janë pjesë e një procesi që synon të garantojë se konsumatori shqiptar do të ketë në tryezë ushqim të sigurt dhe të kontrolluar.
Në fund, mbetet për t’u parë se si do të pritet ky ligj nga operatorët e tregut dhe se cilat sugjerime do të dalin nga konsultimi publik. Por, mesazhi që qeveria dërgon është i qartë: siguria ushqimore nuk është më vetëm një çështje teknike, por një prioritet kombëtar ku shkeljet do të kenë kosto të ndjeshme financiare.
/Gazeta Panorama