Një 23-vjeçar përfundoi në prangat e Policisë së Lezhës pas një operacioni të koduar “Blindi”. Policia tha se i riu qarkullonte me një automjet të blinduar dhe me armë zjarri, ndërsa aksioni për arrestimin e Kevin Vuthajt, banues në FushëKuqe, erdhi pas informacioneve në rrugë operative.
Policia lokale tha se e konsideron 23-vjeçarin person me precedentë penalë, i cili dyshohet të jetë përfshirë në vepra kriminale jashtë vendit.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas me precedent kriminal po qarkullonte me armë zjarri në një automjet të blinduar, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor “Blindi’. Në kuadër të këtij operacioni, në Shëngjin, Lezhë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar mjetin e dyshuar dhe kanë vënë në pranga drejtuesin e tij, shtetasin Kevin Vuthaj, 23 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, Kurbin. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip ‘Benz’, në sendiljen e pasme, brenda një çante dore, shërbimet Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin”, sqaroi Policia.
I riu u prangos sapo doli nga një poligon në një kompleks në Shëngjin, ku po bënte qitje me armë zjarri, të cilën e mbante pa leje.
Forcat e rendit e pritën jashtë ambienteve të kompleksit ku kryhen midis të tjerash edhe qitje dhe sapo i riu doli nga poligoni dhe ka hipur në automjetin e tij “Benz-Mercedes” 4-fenerësh të blinduar, efektivët kanë ndërhyrë duke e prangosur.
“Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Gjatë kësaj periudhe, kur Policia e Lezhës është pa drejtues për shkak të largimit të Oltion Bistrit, janë goditur disa raste të paligjshmërisë dhe janë vënë para drejtësisë një sërë personash të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, përfshirë edhe vrasje.”, vijon më tej Policia.
Gjithashtu, një vëmendje maksimale është përqendruar për të frenuar vjedhjet, të cilat ishin kthyer në shqetësim mjaft të madh në disa fshatra të Lezhës.
Prej disa kohësh është hartuar një plan masash nga Policia e Lezhës dhe gjatë gjithë natës janë vendosur agjentë civilë në zonat rurale, duke frenuar ndjeshëm fenomenin e vjedhjes dhe rastet janë reduktuar shumë gjatë dy muajve të fundit.



