Diaspora kërçovare paraqet një nga problemet më komplekse e cila e pret kandidatin e vetëm shqiptar të Komunës së Kërçovës nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Fatmir Dehari.
Për këtë shkak, sonte në emisionin “Debatpernime” me Jeta Xharrën, Dehari u shpreh se vizita e tij e disaditshme në shtetet perëndimore ku po qëndrojnë kërçovarët nuk është grumbullimi i votave por marrja e modeleve se çfarë duhet të bëhet në Kërçovë në të ardhmën që mërgimtarët të kthehen nga atje.
“Unë isha për vizitë në diasporë dhe qëllimi im nuk ishin votat por që t’i bindja se gjithçka që ata kanë jashtë Maqedonisë mund ta gjejnë edhe në Kërçovë. Për të kthyer mërgimtarët në Kërçovë komuna do të punojë për të ndërmarrë të gjitha masat, si p.sh. sigurimi i lokacioneve të nevojshme, dhënies e lejes për ndërtim dhe sigurimi i infrastrukturës së mirë rrugore”, premtoi Dehari.
Meqë në Kërçovë numri i nxënësve shkon duke u zvogëluar gjë kjo që do të ndikonte edhe në uljen e numrit të të punësuarve arsimor, Dehari tha se “deri në këto momente ne kemi arritur të mbrojmë të punësuarit e arsimit”.
Kjo problematikë e rënies së numrit të të punësuarve dhe migrimit të kërçovarëve sipas Deharit do të zgjidhet duke hapur zona të reja industriale.
“Ne kemi dy zona industriale dhe do të ndërtojmë edhe dy zona të reja industriale. Dy zona industriale e kanë të kryer infrastrukturën kurse dy të tjerat, në momentin që do të përfundoj hartimi i planeve do të jenë funksionale për investime dhe punësime të reja. Është paraparë edhe subvencionim dhe masa të reja të vetëpunësimit ku përkap shifrën prej 50 mijë euro”, premtoi Dehari.