Një hetim i Sky News ka zbuluar se platforma X, në pronësi të Elon Musk, përforcon përmbajtje të djathtë dhe ekstreme në Mbretërinë e Bashkuar, duke ndikuar drejtpërdrejt në debatin politik.
Në gusht, gjatë një proteste kundër emigracionit në Londër, shumë protestues e përmendën Elon Musk si “lider të madh” dhe e cilësuan X si rrjetin e vetëm ku besojnë informacionin.
Një muaj më vonë, gjatë marshimit “Unite the Kingdom”, të organizuar nga aktivisti i ekstremit të djathtë Tommy Robinson, Musk u lidh me video nga SHBA dhe foli para mijëra mbështetësve në qendër të Londrës. Fjalimi i tij u transmetua drejtpërdrejt në X.
Ekspertët e Sky News theksojnë se kjo paraqet rolin gjithnjë e më të madh të Musk në politikën britanike, ndonëse ai nuk ka asnjë funksion zyrtar në vend.
Sky News zhvilloi një eksperiment për të analizuar mënyrën si algoritmi i X përzgjedh postimet që u shfaqen përdoruesve.
Gazetarët krijuan nëntë profile të reja, që imitonin përdorues britanikë me prirje të majta, të djathta dhe neutrale. Gjatë dy javëve të monitorimit, ata mblodhën rreth 90 mijë postime nga mbi 22 mijë llogari.
Rezultatet treguan se përmbajtja e djathtë dhe ekstreme u shfaq shumë më shpesh sesa ajo neutrale ose e majtë, veçanërisht postime që përkrahnin politikanë apo qëndrime të mbështetura nga Musk.
Që prej blerjes së Twitter-it në vitin 2022, Musk premtoi ta kthente platformën në një “hapësirë të lirë për fjalën e lirë”. Ai pushon rreth 80% të stafit, e riemërtoi kompaninë në “X”, dhe publikoi pjesë të kodit të algoritmit si “open source”.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nuk ka transparencë të plotë mbi mënyrën se si X vendos çfarë përmbajtje të përforcojë.


