Ramadan RAMADANI
Raporti i ynë, i shqiptarëve me Maqedoninë, shpesh më ka ngjarë si fati i dikujt me dikë që, si thuhet në shqip “i ka ra në lugë”. Dikush që duhet ta mbajmë, mbrojmë dhe përkrahim pa ndonjë sebep dhe për arsye ndonjëherë edhe jo aq të sqarueshme dhe gati gjithnjë pa asnjëfar interesi dhe qari. Ashtu Maqedonia për ne shpesh ka qëlluar si fqiu me të cilin jemi të hidhëruar dhe ndoshta edhe nuk flasim, por të cilin e mbrojmë dhe bile ia mbrojmë edhe nderin para banorëve të lagjeve tjera. Vetëm sepse ka qëlluar të jetë fqiu ynë. Është vendi i cili është i yni dhe përkundër faktit se si tërësi në histori ka qenë shpesh e ndarë shqiptarët tani s’un e kanë ndarë vetëm ndonjë pjesë të saj që ta quajnë vetëm atë pjesë të tyren e tjetrën t’ia lënë dikujt tjetër.
Ashtu edhe më mendjelehtët nga shqiptarët që ndonjëherë flasin për ndarje nuk kanë ditur ku të vënë kufi brenda Maqedonisë nëse do kishte ndarje. Gjithnjë e kemi perceptuar më shumë si një vend të cilin e kemi trashëgimi nga gjyshërit dhe etërit. Vend i cili as nuk shitet as nuk blihet edhe atëherë kur në te nuk mbillet asgjë dhe ri i shkretë. Nëpër fshatrat tona ka ende toka, ara dhe zabele, nga ato që nuk shiten vetëm sepse brez pas brezi i kanë takuar familjeve tona. Pra edhe atëherë kur të njëjtat nuk sjellin asnjë përfitim dhe bile ndodh të sjellin vetëëm belaja dhe mosmarrëveshje mes pasardhësve të asaj familje.
Vetëm kështu spjegohet ajo që shqiptarët kanë qenë konstruktiv me Maqedoninë dhe e kanë ndihmuar të mbese e tëra dhe të mbijetojë. Këtë e dinë edhe popujt tjerë brenda dhe jashtë Maqedonisë dhe përkundër krejt dështimeve epike të artikulimit politik shqiptar brenda Maqedonisë shqiptarët si popull janë të arsyetuar për rkejt që ka ndodhur edhe në historinë e afërt. Edhe në këto gati tridhjet vitet e fundit kur Maqedonia u shpall e pavarur. Ashtu në 1991 kur u shpall pavarësia shqiptarët nuk e votuan atë pavarësi sepse politikisht artikulonin që ajo të jetë vërtet e pavarur dhe jo sikur ishte pyetja e atëhershmë e referendumit me mundësi të bashkimit me ndonjë aleancë të shteteve sllave.
Në vitin 2001 shqiptarët e organizuar nën UÇK ngritën pushkë ndaj shtetit vetëm pasi shteti dhe forcat vranë një shqiptar në fshatin Tanushë, Muzafer Xhaferin, rahmet i pastë shpirti dhe e past pranuar Zoti si dëshmor. Kurse populli iu bashkua luftës së UÇK vetëm pasi në Tetovë vranë babë e bir, civil dhe të paarmatosur, pa bilgajrihak dhe që ishin në rrugë të tyre në vend të tyrin. Zoti i pranoftë si dëshmor. Mandej shqiptarët me Marrëveshjen e Ohrit i thanë po Maqedonisë dhe kontribuan sa mundën dhe ditën që Maqedonia të bëhet dhe mbetet shtet dhe së fundmi ishin mu shqiptarët që me përpjekjen dhe votat e tyre vendimtare që e çliruan Maqedoninë nga kthetrat e Gruevskit, familjes së tij të retarduar dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Andaj edhe këtë herë shumica do votoje “Për” në këtë referendum për rregullimin e çështjes së emrit dhe afrimin ka BE dhe NATO, sepse gjithë kështu kemi qenë; na është dashur ta mbajmë dhe ndihmojmë edhe kur nuk ka qenë e drejtë me neve, edhe atëherë kur nuk na ka ba hesap e edhe atëherë kur as që ka ditur që ekzistojmë. Maqedonia është si një e dashuri e fshehtë të cilën e mbrojmë edhe pse ajo nuk di as se e pëlqejmë e ku më që e duam dhe gati vdesim për te. Një plakë pa askend tjetër përreth, të cilës i është fshirë dhe turbulluar kujtesa e që nuk mban mend as neve e as faktin që gjithmonë kemi qenë dhe jemi aty. E përkundër krejt kësaj mosmirnjohje ne asaj plake gati çdo ditë i blejmë bukë dhe i ndihmojmë për Pazar. As i bëjmë dëm e as nuk e çojmë në shtëpi, azil, të pleqve. Është një djalë apo çikë e jona që nuk është aq e zonja, të cilës gjithmonë ia hapim dyert kudo dhe kurdo që kemi mundësi sepse e dimë dhe e ndijmë të afërt, përkundër asaj se shkolla apo kariera të cilën e bën dhe në të cilën e ndihmojmë mund që askund dhe asnjëherë të mos i përputhet me nevojat dhe intereset tona.
Po! Maqedonia është e jona, për ate e ndihmojna! #përзаeurope