Kandidatja e LSDM-së për kryetare të Qytetit të Shkupit, Kaja Shukova deklaroi sot se Buteli ka pritur prej kohësh ndryshime të vërteta – rrugë të reja, parqe të pastra, lagje të lidhura dhe një komunë që dëgjon qytetarët e saj.
“E di që banorët e Butelit janë të lodhur nga premtimet boshe. Prandaj vizioni im është i thjeshtë, punë, rezultate dhe përgjegjësi. Do ta kthejmë Seravën si krenari të komunitetit, shtrat të rregulluar, shtigje për këmbësorë dhe biçikleta dhe një oazë të gjelbër në vend të një deponie të paligjshme. Urat e reja dhe mbikalimi në bulevardin “8 Shtatori” do ta lidhin Butelin me qendrën, do ta shkurtojnë kohën e udhëtimit dhe do të sjellin transport publik më të mirë”, ka thënë Shukova e cila është gjithashtu kandidate e vetme femër për kryeqytetin.
Ajo theksoi se me unazën midis bulevardeve “Sllovenia” dhe “Nikolla Karev” dhe bulevardët e rinj, Buteli më në fund do të bëhet pjesë e barabartë e Shkupit me infrastrukturë moderne, rrugë të ndriçuara dhe rrugë të sigurta.
Banorët e Butelit, thekson ajo, kanë një problem akut me mungesën e ujit të pijshëm dhe askush nuk bën asgjë për këtë. Sipas saj, problemi nuk zgjidhet me ndërhyrje kozmetike gjatë fushatës zgjedhore.
“Ekziston një zgjidhje sistemike, zgjidhje e plotë në vend të ndërhyrjeve paushallë ku problemi do të zgjidhet në një vend të komunës, ndërsa do të rritet në një tjetër. Gjëja më e rëndësishme është që ne do të ndërtojmë një komunë ku çdo banor është i përfshirë, komunë që nuk përçan, por bashkon sepse ndryshimi i vërtetë nuk vjen me fjalë, por me vepra dhe unë jam e gatshme të punoj për një Butel që ka vizion, për një Butel që përfundimisht do të ecë përpara”, shton Shukova.