Fillimi i procesit gjyqësor për Rade Trajkovski-Shtekli dhe nëntë persona tjerë të akuzuar për tregti me drogë shtyhet për më 7 gusht për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit Rade Trajkovski-Shtekli.
Siç informon gjyqtari Ilija Tërpkov, Trajkovski në mëngjes ishte i pakomunikueshëm dhe i çorientuar, prandaj urgjentisht duhej të transferohet në Qendrën Klinike. Sulme të tilla, siç plotësoi, kishte edhe gjatë ditës së djeshme.
Seanca e sotme, e caktuar për në orën 10, së pari ishte shtyrë për në 11. Por edhe pas shtyrjes, i pandehuri ende nuk ishte dërguar në spital.
“Nga burgu morëm informacion se i pandehuri ende nuk është dërguar në spital, sepse presin asistim nga MPB. Duke qenë se ai ende nuk është dërguar dhe gjykata nuk mund të presë tërë ditën për t’u dërguar në mjek i pandehuri, gjykimi shtyhet për më 7 gusht”, tha gjyqtari Tërpkov.
Pas shtyrjes, prokurorja Verica Berzhecka Kërsteva, ka informuar se në ndërkohë, Shtekli ka dorëzuar raport psikiatrik se nuk është i aftë të ndjekë gjykimet, ndërsa prokurorja informoi se edhe Prokuroria do të kryejë ekspertizë në lidhje me atë rrethanë dhe do të kërkojë mbledhje përgatitore për të krahasuar ekspertizat.
Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dorëzoi aktakuzë kundër 10 personave për shitje të drogës, kryesisht në lagjen e Shkupit, Aerodrom.
Hetimi ka zgjatur pothuajse një vit dhe përfshinte masa të veçanta hetuese. Së pari janë përfshirë 16 persona, por shtatë prej tyre kanë lidhur marrëveshje dhe kanë marrë dënime me burg prej 3 deri 3,5 vjet.
Siç njoftuan paraprakisht nga Prokuroria, grupi është organizuar mirë, me role qartë të ndara – nga furnizimi deri te shitja e kokainës dhe marihuanës.
Sipas hetimit, droga është ruajtur në banesa me qira, ndërsa është shitur me çmim prej 4.500 deri 6.000 denarë për një gramë kokainë dhe 200 deri 300 denarë për një gramë marihuanë. Ata kanë komunikuar përmes Snapchat-it, ndërsa dëshmi të rëndësishme ishin marrë përmes sistemit “Cellebrite” për analizë të telefonave, donacion nga SHBA.