Seanca e sotme gjyqësore për rastin “Trust” në të cilën i akuzuari i parë është biznesmeni dhe pronari i TV Nova, Sead Koçan, është shtyrë për më 14 nëntor. Seanca gjyqësore e sotme ka zgjatur vetëm një orë.
Në Gjykatën Penale në Shkup sot duhej të fillonte gjykimi për lëndën “Trust” i Prokurorisë Speciale Publike.
Sead Koçan është i dyshuari kryesor në rastin “Trust” dhe akuzohet për falsifikim te tenderëve për një shumë të majme, rreth 17 milionë euro.
Lënda, siç publikoi PSP, është formuar në bazë të tre bisedave të përgjuara, prej të cilave dy të papublikuara në opinion nga viti 3.8.2011 dhe 6.10.2011.
Prokuroria Speciale shpreh dyshime se ai me dokumente të falsifikuara ka marrë tender nga shteti në vlerë prej mbi 17 milion euro. Koçan më shumë se dy muaj ishte në arrati pasi gjykatat më të ulëta i shqiptuan masën e paraburgimit. Ai më pas u kthye gjoja nga udhëtimi zyrtar pasi Gjykata Supreme në krye me Jovo Vangellovskin e shfuqizoi paraburgimin. Gjykata ngriu pronën dhe llogaritë e “Transmetit”, ndërsa Sead Koçan mbeti në liri me garanci prej afër 1 milion euro.
“Trust” do t’i vlerësojnë gjykatësit Marjan Grubisha dhe Dragan Nikollovski.
Avokatët u ankuan se nuk kanë marrë listë të dëshmive, pasi avokatja Sanja Aleksiq më herët ka kërkuar t’i dorëzohet listë që të mund ta përgatitë mbrojtjen./Almakos