Deponia ilegale në hyrje të qytetit jo vetëm që nuk pastrohet dhe dislokohet, por ditëve të fundit ajo është zmadhuar edhe më shumë dhe mbeturinat kanë dalë tanimë në rrugën kryesore. Qytetarët e Tetovës thonë se kjo është një pamje e hidhur për qytetin, ndërsa banorët dhe afaristët për rreth ankohen se era që kundërmon ështëe bërë e padurueshme. Banorët e Tetovës dhe aktivistët e sektorit civil akuzojnë administratën e kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, se nuk ka as interesimin më të vogël për të zgjidhur këtë problem, në emër të së cilit katër vjet më parë morën edhe votat për të udhëhequr komunën.
BANOR
“Po pengon, sigurisht që pengon. Urgjentisht duhet të hiqet, të pastrohet qyteti. Ju bëj apel të gjejnë një zgjidhje për këto mbeturinat”
BANOR
“Katastrofë, këto udhëheqësit tanë edhe pas 25 viteve nuk janë në gjendje ta pastrojnë qytetin dhe ta furnizojnë me ujë, e jo më tjetër punë të bëjnë. Si nuk pengon, edhe në pamje edhe në helme, por çfarë të bëjmë, kështu udhëheqës kemi dhe kështu parti politike kem”
BANOR
“Ma keq s’ka, si mund ta vlerësojmë. Si nuk pengon, çdo gjë që është pis është pengesë”
Njëjtë si qytetarët edhe drejtuesit e organizatës ekologjike nga ky qytet, Ecoguerilla, akuzojnë drejtuesit e Komunës së Tetovës se nuk kanë vullnet dhe angazhimin më të vogël për të zgjidhur problemin me deponinë. Arianit Xhaferi nga Lëvizja “Ecoguerilla”, thotë se zgjidhja urgjente është dislokimi në një zonë të pabanuar, por ai nuk sheh as interesim tek kryetarja aktuale e Komunës, Teuta Arifi dhe administrate e saj për të ndërmarrë ndonjë veprim.
ARIANIT XHAFERI, LËVIZJA “ECOGUERILLA”
“Deponia duhet të dislokohet nga hyrja e qytetit dhe duhet të vendoset në një zonë ku nuk ka banorë. Së paku duhet të ketë një distancë të madhe nga vendbanimet. Kjo nuk është shkencë, është diçka që të gjithë e dijnë por problem këtu është që nuk po ka vullnet për ta zgjidhur me sa e shoh. Administrata aktuale e komunes, por edhe kryetarët e kaluar kanë patur kohë të bpollshme për ta zgjidhur, të paktën administrate atuale e komunës ka patur 4 vjet e gjysmë për ta zgjidhur, por nuk e ka zgjidhur. Kemi frikë se kjo bëhet shkaku i mungesës së vullnetit për ta zgjidhur dhe mungesës së interesimit për ta zgjidhur”
Xhaferi thotë se edhe përpjekjet e kohëpaskohshme të cilat janë bërë nga autoritetet komunale kanë qenë vetëm sa për sy e faqe dhe asnjëherë nuk ka pasur zgjidhje reale. Kështu e vlerëson ai edhe stacionin e ngarkim-shkarkimit i cili muajin e kaluar u promovua me shume pompozitet nga autoritetet komunale.
ARIANIT XHAFERI, LËVIZJA “ECOGUERILLA”
“Para diçka më shumë se një muaji u promovua një qendër për ngarkimin dhe shkarkimin e mbeturinave diku në afërsi të fshatit Trebosh, qendër me standard, modern etjerë e tjerë, por javën që shkoi mediat lokale raportuan se qendra është jashtë funksionit shkaku I një defekti. Domethënë edhe zgjidhjet që bëhen janë sa për sy e faqe, sa për të thënë se u bënë dhe nuk zgjatin. Domethënë ajo që ne shohim si organizatë është se nuk po ka interesim për ta zgjidhur, jo se nuk ka dituri, jo se nuk ka mjete, jo se nuk ka forcë”
Përveç deponisë kryesore në hyrje të qytetit, në Tetovë janë krijuar edhe disa deponi të tjera ilegale në vende te ndryshme të cilat mbushen si nga ndërmarja komunale publike ashtu edhe nga qytetarët në mungesë të një lokacioni të duhur për grumbullimin e mbeturinave.
Arben Zeqiri /SHENJA/

