Duke u fshehur pas procedurave të stërzgjatura administrative, shteti nuk jua kthen qytetarëve pagesat e bëra për taksën radiodifuzive për tërë vitin 2017. Nga Drejtoria për të Ardhura Publike (DAP) atyre u thonë se nëse ata duan t’u kthehen 570 denarë, taksë për tre muajt e fundit të vitit, duhet të paguajnë 400 denarë për procedurat, raporton Almakos.
Petar Jordanov, e kishte paguar paraprakisht këtë taksë për tërë vitin 2017, para se të bëhej pezullimi i saj në shtator të këtij viti. Ai tani kërkon që paratë për muajt, tetor, nëntor dhe dhjetor t’i kthehen. Jordanov, thotë se mes të tjerash nga DAP nuk pranojnë që kërkesa t’u dërgohet përmes postës, por duhet të shkojë deri tek zyrat e tyre për të plotësuar një formular si dhe një sërë veprimesh të tjera administrative, që për të janë mundim.
Petar Jordanov, qytetar
“ Ato janë paratë e mia. Ata duhet të mi kthejnë. Më thonë “ që të t’i kthejmë ne paratë duhet të paguash këtu 300 denarë për njëfarë formular dhe një tarifë prej 100 denarësh, pra bëhen gjithësej 400 denarë dhe çfarë do fitosh, për 100 e diçka denarë nuk të leverdis të ngresh padi”. Kështu çfarë mbetet të më kthejnë mua, 170 denar !”
Në situatë të këtillë krahas Petar Jordanov, veten e gjejnë edhe shumë të tjerë të cilët duke mos pasur zgjidhje tjetër janë drejtuar në zyrat e Avokatit të Popullit.
Avokati Zoran Bilbiloski, thotë se formulari që qytetarët paguajnë dhe plotësojnë për të parashtruar kërkesë që t’u kthehen paratë, nuk figuron askund në Gazetën Zyrtare. Sipas tij ky problem përfshin një dimension edhe më të gjerë.
Zoran Bilbiloski, avokat
“ Ka një problem të një spektri më të gjërë, kur qytetarët për vite të tëra dëmtohen nga ajo që quhet “ procedura për pagesë të detyruar”, kur në mospërputhje me legjislacionin, interpretimi individualisht nga punonjësit dhe zbatimi i papërshtatshëm i ligjeve, ju merret e gjithë rroga, gjithë pensioni ose, çka është edhe më tragjike, ju merren të ardhurat si ndihma sociale, kompensim për fëmijët, subvencione të ndryshme bujqësore edhe pse ligjit thotë se diçka e tillë nuk mund të bëhet.
Sipas tij, ka pasur raste të shumëta kur pagesën për taksën radiodifuzive e kanë marrë nga të gjithë anëtarët e familjes, kur realisht vetëm njëri duhet ta paguajë. Avokati Bilbiloski, kërkon që qytetarëve te ju kthehen paratë pa asnjëlloj kushtëzimi.
Më 20 shtator Kuvendi i Maqedonisë e miratoi ligjin me të cilin u pezullua pagimi i taksës radiodifuzive, që e obligueshme për qytetarët u bë që nga viti 2005. Të ardhurat që RTVM i grumbullonte nga kjo taksë do të plotësohen nga Qeveria.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kamereman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com