Shkruan: Fejzi HAJDARI
Protestat dhe solidarizimi me rastin e Frosinës, e cila e humbi jetën në një aksident trafiku, janë shembulli më i mirë ku shihet se si institucionet shtetërore i trajtojnë me dy kute, shqiptarët dhe maqedonasit. Pa dashur të merrem me këtë rast tragjik, për të cilin përfitojë nga moment për t’i shprehur familjes ngushëllime, dua të ndalem te sjellja johumane dhe jo e drejtë e institucioneve kur janë viktima shqiptarët.
Edhe pse në shikim të parë tingëllon e duket si shtjellim i pavend, në fakt pikërisht ky rast i zhvesh institucionet shtetërore për mënyrën e kujdesit institucional në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.
Deri sa i ndiqja protestat për Frosinën, të cilat i mbështes fuqimisht, mu kujtua rasti tragjik i Almirit të vogël nga Kumanova, i cili në mënyrë të qëllimshme u shtyp me makinë nga Boban Iliq, i cili nga organet e drejtësisë kishte një trajtim të cuditshëm, ta paparë deri tani, të shoqëruar me lloj-lloj lëshimesh tendencioze…
Ju kujtohet se sa shqiptarë dolën në protesta për Almirin dhe sa po grumbullohen tani për rastin Frosina. Edhe pse për Almirin kishte aktivistë shqiptarë, sidomos nga Shkupi, që u organizuan dhe u përpoqën në të gjitha format drejtësinë ta çojnë deri në fund, por politika qeverisëse shqiptare asnjëherë nuk bëri minimalisht atë që i takonte – t’i ndihmojë dhe solidarizohet me organizatorët. Fatkeqësisht, këtë s’e bëri asnjëherë për Almirin e Vogël. Natyrisht është çështje individuale kush se si ndjenë, dhe sa ndjenë…
Trajtimi nga ana e institucioneve shtetërore atëherë dhe tani, është tmerrësisht i njëanshëm, aspak i barabartë dhe i pakrahasueshëm. Rasti Almiri, fatkeqësisht, asnjëherë as për së afërmi s’e kishte trajtimin institucional, që e ka sot “Frosina”. “Rasti Frosina” duhet të shërbej si shembull se si institucionet duhet të kujdesen dhe alarmohen për qytetarët, kurse për “rastin Almiri”, institucionet dëshmuan të kundërtën – se si nuk duhen të sillen ndaj qytetarëve!
Pra, shteti për Frosinën po tregohet si “nënë”, kurse për Almirin sillej si “njerkë”. Fatkeqësisht, ndaj rastit Almiri, si “njerkë” u soll edhe partia e atëhershme shqiptare në pushtet, bile edhe shumica e anëtarësisë e simpatizantëve, të cilët nuk dëshmuan as solidaritet minimal human.
Sot, vetëm një ditë pasi ndodhi rasti tragjik “Frosina”, institucionet menjëherë vepruan… prokurorët ishin në nivel detyre, menjëherë trazuan procedurën e marrjes nën hetime të telefonit të Vasilit, bile-bile propozuan edhe ndryshimin e mënjehrshëm të Ligjit për siguri në trafik…
U morën edhe një mori veprimesh instucionale që janë të nevojshme për raste si ky i Frosinës. Në fakt, kështu do të duhej të ishte gjithmonë. Por, ajo që të ngacmon si shqiptar dhe të bënë të reagosh me ose padashje, është fakti dhe pyetja që imponohet: Pse ndaj Almirit institucionet nuk reaguan si në rastin e Frosinës? Vallë, a thua deri kur drejtuesit e institucioneve shtetërore, shqiptarët do t’i provokojnë me këto sjellje: Ndryshe për ata, ndryshe për ne?
Një gjë është e sigurtë, sjellja e këtillë ngjallë dilema të mëdha dhe sidomos irritim tek shqiptarët. Ky trajtim me dy kute, nuk jep shenjë dhe shpresë se në të ardhmen institucionet do ta ndryshojnë këtë sjellje pothuajse raciste për shqiptarët! Fatkeqësisht, ky avaz i trajtimit ndryshe të shqiptarëve, daton që nga periudha e komunizmit dhe tani e 34 vite demokraci. A thua deri kur? A ka fund sjellja diskriminuese, jo e drejtë, jo humane, ndaj shqiptarëve dhe kush duhet ta ndryshojë?