Qytetarët janë shumë pak të informuar për të shrytëzuar të drejtën për kurim jashtë vendit. Një tregues i kësaj janë rastet e shpeshta të apelit për ndihmë nëpër rrjetet sociale nga shoqëria civile, për të dhuruar mjete për kurimin e ndonjë personi, njofton Almakos.
Nga Fondi Shëndetësorë i Maqedonisë, sqarojnë se shpeshherë kanë kontaktuar me familjet që kanë mbledhur ndihma humanitare për kurim jashtë vendit dhe kanë kuptuar se ata nuk kanë tentuar të aplikojnë në Fondin Shëndetësorë ose janë drejtuar në vend të gabuar.
Drejtori i Fondit Shëndetësorë të Maqedonisë, Orhan Ramadani, sqaron se çdo qytetar i Maqedonisë me sigurim shëndëtësore mund të aplikojë për mbulimin e shpenzimeve nga fondi për kurim jashtë vendit, nëse janë shterrur të gjitha mundësitë për kurim në vend.
“Shumica ndoshta nuk kanë informata se para se të dalin të kërkojnë mjete humanitare, fondi gjithmonë është i gatshëm për të gjithë ata që plotësojnë kushtet , të cilët në princip nuk kanë pasur mundës të shërohen ose të mjekohën apo të operohen, ekziston mundësia për kurim jashtë shtetit”- thotë Ranmadani.
Qytetarët nuk e dijnë se kur mbledhin ndihma për kurim jashtë vendit, së pari duhet të bëjnë kërkesë në Ministrinë e Drejtësisë që paratë e mbledhura të trajtohen si donacion apo sponzorim për të shmangur tatimin nga Drejtoria për të Ardhura Publike.
“Pa dallim se si mblidhen paratë, për t’u liruar nga TVSH-ja, siç është në tërë botën, duhet të kryhet procedura për donacion dhe sponsorizim. Ajo bëhet në Ministrinë e Drejtësisë, ku bëhet marrëveshje mes atij që jep para dhe atij që pranon para, ose atij që e organizon atë fushatë, ndonjë organizatë joqeveritare e kështu me rradhë”- thotë për Almakos, Vesna Novakoviq, nga Drejtoria e të Ardhurave Publike.
Nga Ministria e Drejtësisë thonë se kanë pasur raste kur është kërkuar prej tyre të lirohet dikush nga tatimit, por se një gjë e tillë mund të bëhet vetëm nëse fushatat për mbledhjen e mjeteve i bëjnë organizatat, e jo individë. Megjithatë, ato shtojnë se aprovimin përfundimtarë për lirim nga tatimi e jep Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Megjithatë, kërkesat për ndihma nuk bëhen gjithmonë për t’u operuar jashtë vendit, por për përkujdesjen e të sëmurit dhe skamja i shtyn njerëzit të kërkojnë ndihmë në rrejtet sociale.
Drejtori Ramadani, thotë se shuma e fondit për kurim jashtë vendit nuk është e paracaktuar. Sipas tij, pasi jepet mendimi konsiliar, ku bëjnë pjesë tre mjekë të specializuar, atëherë kërkesa kalon në komisionin e shkallës së parë në fond dhe më pas në shkallën e dytë. Nëse mendimi konsiliar i mjekëve thotë se pacienti është në rrezik për jetën, Fondi shëndetësor për aprovimin e kërkesës për kurim jashtë vendit duhet të vendos brenda 24 orësh.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com