Prokuroria publike në Maqedoninë e Veriut po heton dy shtetas maqedonas të cilët kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë dhe thuhet se kanë luftuar për grupe paraushtarake ruse kundër Ukrainës, nga të cilët njëri ishte anëtar i ushtrisë private Wagner.
Prokurorët po ndjekin penalisht shtetas maqedonas të dyshuar se kanë marrë pjesë në luftën në Ukrainë.
Pjesëmarrja në konflikte të huaja përbën vepër penale në Maqedoninë e Veriut.
“Sa i përket dënimit të parashikuar për veprën penale ‘pjesëmarrje në ushtri të huaj’, ai mund të shkojë deri në katër vjet”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Publike për Radio Evropa e Lirë.
Deri më tani, Prokuroria dhe policia nuk japin detaje se sa persona nga vendi kanë shkuar për të luftuar në Ukrainë, e as nëse ekzistojnë organizatorë që rekrutojnë luftëtarë nga Maqedonia e Veriut.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në më pak se një muaj, ka publikuar njoftime për dy persona që kanë marrë pjesë në anën ruse në luftën në Ukrainë, dhe në to përmendet gjithashtu se një shtetas maqedonas ka vdekur në luftime.
I fundit është nga 23 dhjetori, ku thuhet se policia po ndjek penalisht shtetasit maqedonas për pjesëmarrje në ushtrinë ruse në konfliktin ushtarak në Ukrainë.
Bëhet fjalë për një burrë 37-vjeçar nga Shkupi (Lj.B.), i cili së bashku me të ndjerin (T.Sh.), përmes aplikacionit “Telegram”, kishin aplikuar për shërbim në ushtrinë ruse.
Sipas MPB-së, të dyshuarit kishin udhëtuar për në Rusi në shtator të këtij viti, ku kishin nënshkruar marrëveshje me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Republikës Popullore të Donjeckut, [që Rusia e konsideron si pjesë të saj, por që nuk njihet nga asnjë shtet tjetër në botë], dhe ishin bashkuar me formacionet e tyre ushtarake dhe paraushtarake.
MPB: Rekrutues përmes internetit
Pas kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit (Lj.B.), policia gjeti dokumente, veshje taktike dhe sende të tjera që, sipas MPB-së, konfirmojnë përfshirjen e tij në konflikt. Dy të dyshuarve u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Në rastin e parë, të publikuar më 30 nëntor, thuhet se një burrë 28-vjeçar (J.K.) ka udhëtuar në tetor në Moskë me qëllim që të bashkohet me ushtrinë ruse për një shpërblim prej 3.000 eurosh. Pas kthimit në vend, autoritetet maqedonase e arrestuan dhe ngritën aktakuzë kundër tij.
Sipas hetimeve (J.K.) kishte kontaktuar me një rekrutues përmes internetit dhe pas mbërritjes në Rusi iu kërkua të dorëzonte pasaportën e tij, pas çka, duhet të nënshkruante një marrëveshje dhe të dërgohej për trajnim për të luftuar në Ukrainë.
Institucionet nuk kanë përgjigje nëse këto janë raste të izoluara apo bëhet fjalë për rekrutime të organizuara të luftëtarëve nga vendi për të marrë pjesë në luftën në Ukrainë.
Nga MPB-ja shkurt u përgjigjën për Radion Evropa e Lirë se së bashku me Prokurorinë dhe shërbimet e tjera të sigurisë dhe inteligjencës po ndërmarrin veprime për t’i verifikuar informacionet për të gjithë personat të cilët dyshohet se janë pjesë e forcave paramilitare.
Rastet nuk pranoi t’i komentojë Koordinatori Kombëtar për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, Pavle Trajanov, i cili tha se aktualisht, as ai nuk ka informacione të drejtpërdrejta nga MPB-ja lidhur me numrin e personave nga vendi që marrin pjesë në luftën në Ukrainë.
Vitet e kaluara ka pasur raste të pjesëmarrjes në ushtri të huaja, përfshirë luftën në Siri, për të cilën Komiteti Kombëtar për Kundërshtimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Terrorizmit ka njoftuar se mbi 140 qytetarë të Maqedonisë së Veriut [përjashtuar fëmijët] kanë udhëtuar ose kanë tentuar të udhëtojnë në Siri ose Irak për t’iu bashkuar grupeve terroriste.