Gjithsej shtatë zjarre në hapësira të hapura janë regjistruar deri në orën 13:00, ka njoftuar Qendra për Menaxhim me Kriza.
Sipas të dhënave të fundit, pesë vatra zjarri vazhdojnë të jenë aktive në komunat Gostivar, Rankovcë, Kratovë, Manastir dhe Nagoriçan i Vjetër. Ndërkohë, dy zjarre, në Vinicë dhe Negotinë, janë vënë nën kontroll.
Zjarret kanë përfshirë kryesisht sipërfaqe me vegjetacion të ulët, shkurre, pyje të përziera, kashtë dhe zona me mbetje.
Ekipet kompetente janë në terren dhe po vijojnë me monitorimin dhe ndërhyrjet për lokalizimin e vatrave aktive, si dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarreve.
Autoritetet kanë bërë apel për kujdes të shtuar nga qytetarët, veçanërisht për shkak të temperaturave të larta dhe rritjes së rrezikut për shpërthimin e zjarreve në ditët në vijim.



