Një shtetas shqiptar, i dëbuar më parë nga Britania e Madhe për prodhim kanabisi, ka arritur të shmangë largimin përfundimtar nga vendi, pavarësisht se hyri në mënyrë të paligjshme dhe u përfshi sërish në aktivitete kriminale. Rasti i Stiljano Ziu është bërë publik nga gazeta britanike The Telegraph, duke nxitur debate mbi politikat e imigracionit dhe fuqinë e gjykatave në vend.
Ziu ishte dënuar në vitin 2018 me nëntë muaj burg për prodhim kanabisi, por u lirua para kohe me kushtin që të mos rikthehej më në Britani. Në fillim të vitit 2019, ai e theu këtë urdhër dhe u rikthye në mënyrë të paligjshme. Pak më vonë, ai u martua me një shtetase greke që jeton në Britani, dhe përmes saj kërkoi të drejtën për qëndrim.
Pavarësisht kundërshtimeve të Ministrisë së Brendshme britanike, dy nivele të gjykatës së emigracionit vendosën në favor të tij, duke vlerësuar se Ziu nuk përbënte kërcënim për publikun apo për sistemin e imigracionit.
Ministria e Brendshme argumentoi se ai kishte treguar “mospërfillje flagrante” ndaj ligjeve të vendit dhe se lidhjet familjare nuk ishin të mjaftueshme për të justifikuar qëndrimin, duke insistuar në dëbimin e tij. Në atë kohë, Ziu ishte në pritje të gjykimit për trafik droge – një procedim penal që gjykata e konsideroi ende të papërfunduar dhe jo të mjaftueshëm për dëbim.
Megjithatë, në nëntor të vitit të kaluar, Ziu u shpall fajtor për dy akuza për konspiracion në furnizimin me drogë të klasit B dhe u dënua me katër vjet e gjysmë burg.
Në vendimin e fundit, gjykata deklaroi se tashmë i takon Sekretares së Brendshme të vendosë për çështjen e dëbimit të tij. Gjykatësi shtoi se rasti “mund të rezultojë të ketë qenë vetëm një ushtrim akademik”, duke lënë të nënkuptohet se dënimi i fundit pritet të çojë në largimin përfundimtar të Ziu nga vendi.
Rasti i tij është një ndër disa shembuj të zbuluar nga The Telegraph, ku shtetas të huaj me precedentë penalë kanë arritur të shmangin dëbimin duke u mbështetur në të drejtat e njeriut. Si përgjigje ndaj rasteve të tilla, ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, ka paralajmëruar masa të reja për të kufizuar ndërhyrjen e gjyqësorit në vendimet e dëbimit dhe për të forcuar testin e interesit publik në çështjet e imigracionit.