Muhamed ISMAILI
Raporti i progresit për Maqedoninë për 12 muajt e kaluar, të cilin Komisioni Europian publikoi para tre dite në Bruksel është kambana më e zëshme për gjendjen në të cilën është vendi ynë. A po e lexojmë si dhe sa duhet?
Edhe pse statusi i kandidatit nuk u humb, vërejtjet serioze për mosfunksionimin e shtyllave kryesore të shtetit bëjnë që ky status të humbë vlerën e tij absolute. Maqedonia tanimë 11 vite e gjysmë ka të nënshkruar MSA-në me BE-në, ndërsa plot një dekadë po presim “de jure” para dyerve të Europës. Ajo që për shumicën e vendeve paraqiste pjesa më e rëndë përgatitore për kyçje në familjen europiane, harmonizimi i legjislacionit domicil me ate të BE-së, doli se ishte pjesa më e lehtë e detyrës sonë shtëpiake. Atëherë, ku qëndron realisht problemi?!
Nëse i analizojmë raportet e progresit për vendin tonë që nga marrja e statusit kandidat e posaçërisht gjysëmdekadën e fundit mund të vërehet zmbrapsje e dukshme tek kriteriumet politike. Për çdo vit kemi përkeqësim të këtyre kriteriumeve, gjë që kulminoi periudhën që përfshin raporti i sapo publikuar.
I ndërlidhur me “Prioritetet Urgjente për Reforma”, një rekomandim ky nga Grupi i ekspertëve europian, raporti i fundit në formën më të drejtpërdrejtë na tregon se ne jo që nuk jemi në rrugë të vërtetë drejt integrimeve, por detekton mosfunksionim të shtetit në parametrat e tij elementare të nevojshme.
“Kriza politike, më e rënda pas vitit 2001, me përgjimet e komunikimeve, në të cilat bëjnë pjesë zyrtarë të lartë qeveritarë, tregojnë për thyerje të të drejtave themelore, ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, në lirinë e mediave dhe në zgjedhjet, si dhe politizimin dhe korrupcionin” tregojnë se Maqedonia ka bërë mund të madh në lidhje me integrimin e vendit në BE, por fatkeqësisht në drejtim të kundërt.
“Mungesa e opozitës në Kuvend për më tepër se një vit ka bërë që të mos jetë në funksion mbikqyrja mbi ekzekutivin” thuhet në raport, në të cilin citohet urgjenca e zbatimit të plotë dhe të përpiktë të marrëveshjes së arritur politike.
Gjithashtu Komisioni Europian kërkon “hetim të plotë të ndodhive të Kumanovës” si dhe raporton për “marrëdhëniet e brishta ndëretnike dhe nevoja për përmbushjen e Marrëveshjes së Ohrit”.
Për të mos i numëruar të gjitha vërejtjet, këtu do përmend vetëm edhe “sulmet publike të politikanëve dhe mediave pro-qeveritare ndaj shoqërisë civile”, “humbja e besimit ndaj funksionimit të institucioneve” si dhe “ndërhyrjet politike në punën e gjyqësorit; nevojën për hetime të plota ndaj keqpërdorimeve që u zbuluan me bisedat e përgjuara nga ana e Prokurores speciale”, etj.
Tani shqiptarët e Maqedonisë parashtrojnë një pyetje: A humbën gjithçka kishin, sikur një kumarxhi që kishte vënë gjithë paratë tek numri humbës, duke vënë tërë potencialin politik të tyre në “kartën” e integrimit të vendit (dhe të tyre) në BE?!
Strategu politik Gruevski, lider i Partisë Demokratike për Bashkim Kombëtar Maqedonas, e dinte që moti se Maqedonia do të katandisej kaq keq. Prandaj futi vendin në borxhe të cilat do i kthejnë nipërat tanë, për ta vënë historinë antike në vepër, me çka kontesti i emrit me Greqinë doli prej agjendave të liderëve botërorë. Integrimi i vendit ngeli vetëm frazë deklarative, e plotësuar me alternativa të rrezikshme “lindore”. Shqiptarëve dy mandatet e fundit qeverisëse, për habi të shumëkujt, ua dha sektorin e integrimeve, me çka ua dha edhe alibinë për “ëndërrën latente europiane” duke i përjashtuar kështu nga çdo segment tjetër i politikbërjes. Diskriminimi dhe nënçmimi në baza etnike (dhe jo vetëm) nga vetë pushteti arriti majat e durimit. Dhe derisa sillej “ruleti”, lideri i BDI-së Ali Ahmeti shqiptarëve u paralajmëronte se “fluturakja ynë e përbashkët sapo ka filluar aderimin në aeroportin e Brukselit”. Lirisht mund t’i lidhnim rripat e sigurimit.
Por, avarinë që tani e konstatuan Komisioni Europian, jo vetëm që nuk lejon aderim në BE, por rrezikon që fluturakja të shpërthejë në ajër. Tani as maskat me oksigjen nuk mund ti përdorim, pasi ajri në to është helmuar me grimcat P10 të Pollogut gjatë ngritjes në qiell.
Shqiptarët (dhe të gjithë qytetarët tjerë të këtij vendi) meritojnë më shumë se kaq. Mjafton ta kuptojmë se përgjegjësia për vendin tonë duhet të jetë (së pari) e jona (e pastaj e të huajve). Të marim guximin, të ngremë zërin, të japim kontribut, të avansojmë vlerat…
Ne mundemi së bashku edhe të ndërtojmë fluturake!