Qindra shqiptar sot kanë protestuar në sheshin “Skenderbeu” në Shkup kundër proceseve të montuara gjyqësore ndaj shqiptarëve. Kryetari i Shoqatës të përndjekurve politik shqiptar, Shpëtim Pollozhani, si organizator i protestës, kërkoi nga institucionet të rishikimin e të gjitha rasteve të montuara, duke filluar nga rasti “Allfa”, ku në mënyrë të padrejtë dhe me dënime drakonike janë dënuar shqiptar për kinse vrasjen e dy policëve duke u mbështetur vetëm në dëshmitar të mbrojtur.
“Gjykatat janë pjesë e një sistemi të korruptuar të drejtësisë për arsye se këtë nuk e themi ne por e thonë pothuajse çdo vit departamenti i shtetit Amerikan, e thotë Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut dhe e thonë edhe dhjetëra organizata tjera ndërkombëtare”, tha Pollozhani.
Ai akuzoi gjykatat se në proceset kundër shqiptarëve në mënyrë brutale shkelin procedurat gjyqësore duke pamundësuar mbrojtjes të prezantojë faktet e saj.
“Duke filluar nga rasti i Burhan Nuhiut, i cili është burgosur në vitin 2003 e deri në rastin “Lagja e Trimave”, asnjëherë nuk janë marrë parasysh dëshmitë e dëshmitarëve okularë, por gjithnjë këto njerëz janë dënuar në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtur”, shtoi Pollozhani
Sipas tij, gjendja e shqiptarëve nëpër burgje është më e rëndë se sa në kohën e komunizmit sepse në burgje sot lulëzon korrupsioni, blihet amnestia dhe shitet drogë.
Vajza e Fadil Fejzullahut, njëri ndër personat e akuzuar për përleshjen në Kumanovë në vitin 2015 tha se premtimet e partive për hetim ndërkombëtarë për këtë rast janë gënjeshtra.
“A thua kush po frikohet nga hetimi ndërkombëtarë, të cilin po e pengojnë dhe nuk po fillon. Ne jemi për një hetim se jemi të pastër. Djemtë e lirisë në çdo seancë kanë kërkuar hetim ndërkombëtar, mirëpo fakti se pushtetarët janë të përfshirë në këtë rast, hetimi nuk do të ndodh asnjëherë”, tha ajo.
Para protestuesve Shpëtim Pollozhani lexoi edhe letrat e familjarëve të viktimave të gjykatave maqedonas, të cilat dëshmojnë për drejtësinë selektive të gjykatave. Kur shqiptarët janë viktima lirojnë kriminelët, ndërsa kur ato janë të bankën e të akuzuarve, dënohen në mënyrë drakonike me dëshmi të rreme.
Mevludin Imeri
Almakos.com