Në Shkup është hapur një parti e re politike shqiptare, duke shtuar edhe një tjetër emër në listën e gjatë të subjekteve politike që përfaqësojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, në vend të entuziazmit, lajmi është pritur me një valë ironish dhe batutash në rrjetet sociale dhe mes qytetarëve, përcjell Almakos.
Një pyetje që po qarkullon në anketat online ka marrë vëmendje të madhe:
“A është më mirë të hapim pishina në vendbanimet shqiptare apo parti dhe lëvizje politike?”
Komentet janë po aq të kripura sa djersa e verës që përvëlon vendin:
“Sikur të hapnim pishina me të njëjtin vrull si hapim parti, sot do laheshim në freski, jo në djersë!, shkruan një qytetar në Facebook.
Sipas disa analistëve, numri i madh i partive shqiptare nuk ka sjellë ndonjë përmirësim të ndjeshëm në jetën e përditshme të qytetarëve, ndërsa infrastruktura bazike – si pishinat publike apo qendrat rinore – vazhdojnë të mungojnë në shumë vendbanime shqiptare.
Qytetarët, të lodhur nga premtimet politike dhe të etur për një freski të vërtetë, po kërkojnë me shaka (e ndoshta edhe seriozisht) që nismat e reja të orientohen nga sporti dhe rekreacioni, jo vetëm nga zgjedhjet e ardhshme.
Në këtë vapë politike dhe klimatike, një gjë është e sigurt: shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kanë më shumë parti sesa pishina – dhe kjo po u del gjithnjë e më shumë në djersë./Almakos