Doktori i shkencave islame, Mustafa Bajrami, duke folur për gjendjen e tanishme të myslimanëve në botë, ka thënë se keqinterpretimi i Islamit si fe dhe keqpërdorimi i tij si sistem jete, myslimanëve u ka shkaktuar probleme serioze.
“Vënia e fjalës së Zotit në shërbim të politikave ditore myslimanëve kudo në botë u ka kushtuar shtrenjtë. Gjithsesi, Islami duhet të lirohet nga kthetrat e injorantëve dhe nga kthetrat e politikës”, ka thënë Bajrami.
Më poshtë lexojeni postimin e tij të plotë në rrjetin social Facebook:
“Ndër shkaqet kryesore të gjendjes së tanishme të myslimanëve është keqinterpretimi i Islamit si fe dhe keqpërdorimi i tij si sistem jete. Tek rasti i parë Islami ra në dorën e atyre që e monopolizuan dhe e bënë profesion të vetin duke e shtrembëruar deri në ekstrem, ndërsa në rastin e dytë Islamin e vunë në shërbim të politikës ditore dhe e bënë mjet përfitimesh të ulëta. Dhe, për të qenë Islami edhe më tutje në shërbim të njeriut, pa dallim feje, race apo ngjyre, ai duhet të lirohet edhe nga kthetrat e injorantëve edhe nga ato të politikës. Në rastin e parë për shkak se injorantët nuk janë në gjendje ta kuptojnë përmbajtjen e thellë të Islamit ndërsa në rastin e dytë për shkak se politika gjithnjë është e gatshme të qes interesin vetanak si prioritet para interesit të përgjithshëm. Shqiptarët duhet të kenë kujdes nga këto dy gabime që i kanë bërë të tjerët në jetën e tyre”.
Dr. Mustafa Bajrami është ndër më të zëshmit për nevojën e ri-interpretimit të Islamit tek shqiptarët. Kohë më parë ai pati kërkuar themelimin e Universitetit Islamik të përbashkët dhe unik për gjithë shqiptarët.