Gjuha shqipe, dalëngadalë, po zhduket nga përdorimi zyrtar në Ministrinë e Drejtësisë. Asnjë dokument i brendshëm, vërtetim, certifikatë apo akt tjetër që përmban qoftë edhe një fjalë në shqip, nuk firmoset nga ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, kuadër i partisë ZNAM të Maksim Dimitrievskit. Sipas informacioneve dhe ankesave të shumta nga qytetarë shqiptarë, edhe dokumentet që deri më tani lëshoheshin në mënyrë dygjuhëshe – në maqedonisht dhe shqip, tashmë jepen vetëm në maqedonisht, shkruan gazeta KOHA. Kjo praktikë, e cila ishte standardizuar pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, është ndërprerë plotësisht me ardhjen e Filkovit në krye të Ministrisë.
Shembulli më i fundit dhe më i dukshëm është ai i certifikatave për dhënien e provimit të jurisprudencës. Nëse deri para dy vitesh këto certifikata u dorëzoheshin kandidatëve edhe në shqip, sot ato lëshohen ekskluzivisht në maqedonisht, pavarësisht kërkesave zyrtare të paraqitura nga kandidatët shqiptarë.
“Ministri nuk i nënshkruan dokumentet që kanë qoftë edhe një fjalë në shqip”, është përgjigjja e shkurtër që kandidatët shqiptarë kanë marrë nga administrata, pasi certifikatat u janë dorëzuar vetëm në maqedonisht. Situata bëhet edhe më problematike po të kihet parasysh përbërja politike e Ministrisë së Drejtësisë. Shqiptarët, konkretisht koalicioni VLEN, nuk kanë asnjë përfaqësues në pozita të larta drejtuese në këtë institucion. Ministri është nga ZNAM, ndërsa zëvendësministri dhe sekretari shtetëror nga VMRO-DPMNE, shkruan KOHA.
Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ministri ka obligim ligjor që, në rast se pala i drejtohet institucionit në gjuhën shqipe, përgjigjja dhe shërbimi zyrtar të ofrohen gjithashtu edhe në shqip. Megjithatë, në Ministrinë e Drejtësisë kjo dispozitë ligjore nuk po zbatohet.
Dhënia e certifikatave dhe dokumenteve të tjera në shqip ka qenë praktikë e rregullt institucionale pas miratimit të Ligjit të Gjuhëve dhe është zbatuar në mënyrë konsekuente nga ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga. Ndërprerja e kësaj praktike po shihet si hap prapa serioz në respektimin e të drejtave gjuhësore dhe si shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit në fuqi. Sidomos kur kemi parasysh se pikërisht nga kjo ministri ka dalë Ligji për përdorimin e gjuhëve, ndërkohë që tani, Inspektorati për përdorimin e gjuhëve është pjesë administrative e kësaj ministrie. (koha.mk)




