Teologia nga Kosova, Igballe Berisha-Huduti, është shpallur “person i padëshiruar” në Shqipëri për një periudhë 15-vjeçare, me vendim të autoriteteve shtetërore, në kuadër të masave të sigurisë kombëtare.
Sipas vendimit të transmetuar nga mediat në Shqipëri, masa është marrë mbi bazën e informacioneve të institucioneve përgjegjëse, të cilat e vlerësojnë veprimtarinë e saj si rrezik potencial për sigurinë kombëtare dhe rendin publik.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Huduti ka qenë e përfshirë në protestat që po zhvillohen në Tiranë kundër ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec, duke e cilësuar si të infiltruar në këto zhvillime.
Ai ka publikuar edhe fotografi në rrjete sociale, duke ngritur akuza për lidhje të saj me figura dhe struktura të huaja.
Në vendim thuhet se Huduti dyshohet për lidhje me regjimin iranian dhe për thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri. Urdhri është përcjellë për zbatim tek Policia e Shtetit dhe strukturat e kufirit dhe migracionit.
Pas publikimeve dhe akuzave, vetë Huduti ka reaguar duke i mohuar pretendimet, duke theksuar se pjesëmarrja e saj në protesta ka qenë vetëm qytetare dhe patriotike, pa asnjë motiv tjetër.


