Në prill të këtij viti, kompania izraelite “Elbit Systems” nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me qeverinë shqiptare, sipas të cilit në Shqipëri pritet të nisë prodhimi i haubave dhe dronëve.
Sipas ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Piro Vengu, janë në vijim bisedimet për investime të huaja në linjat e prodhimit për artileri të rëndë, armë të lehta, municion, mjete të blinduara dhe uniforma ushtarake.
Qeveria shqiptare ka shqyrtuar 25 investitorë të huaj, përfshirë kompani me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izrael.
Njëra prej tyre është kompania izraelite “Elbit Systems”, e cila në prill nënshkroi memorandum bashkëpunimi me autoritetet shqiptare. Sipas mediave shqiptare, “Elbit Systems” do të merret me montimin e dronëve në Shqipëri, si dhe me prodhimin e armëve të lehta dhe artilerisë së rëndë në ish-fabrikën e bakrit në Rubik, e cila do të shndërrohet në një nga qendrat kryesore të prodhimit ushtarak.
Përveç kompanive izraelite, interes kanë shfaqur edhe gjigantët më të mëdhenj amerikanë të industrisë ushtarake, ndër të cilët veçohet gjiganti “Lockheed Martin”.
Shqipëria pret dorëzimin e raketave kundër-blinduese “Javelin”, të porositura që në vitin 2022, ndërkohë që korporata “Lockheed Martin” ka nënkontraktorë që marrin pjesë në zhvillimin e këtij sistemi.
Mediat shqiptare spekulojnë se pikërisht kjo porosi mund të jetë një nga faktorët kyç që do ta nxisë industrinë ushtarake amerikane të zhvendosë një pjesë të prodhimit të saj në Shqipëri.