Shqipëria ka shkëlqyer në provën e parë zyrtare të “Eurovision 2025”, duke siguruar vendin e dytë në sondazhin e shtypit për gjysmëfinalen e parë. Kënga përfaqësuese “Zjerm” nga grupi Shkodra Elektronike ka marrë 20 vota, duke e renditur menjëherë pas Suedisë, që udhëheq me 21 vota.
Ky rezultat e konfirmon pritshmërinë e lartë që ka publiku dhe media ndërkombëtare për performancën unike dhe stilin elektronik që ka sjellë grupi Shkodra Elektronike në këtë edicion të Eurovisionit.
Sondazhi është realizuar pas provës së parë të veshjeve, ku përfaqësuesit e shtypit kanë dhënë votat e tyre për 15 shtetet pjesëmarrëse në këtë gjysmëfinale. Nga 37 përgjigje dhe 111 vota, Shqipëria është përmendur nga shumë gazetarë si një nga performancat më të fuqishme dhe më origjinale të natës.
Nëse kjo vazhdon, Shkodra Elektronike jo vetëm që mund të kualifikohet me lehtësi për finalen e madhe, por edhe të luftojë për një vend të nderuar në natën finale të Eurovisionit.