Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy vendet e para të Ballkanit Perëndimor që përfitojnë parafinancim sipas Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
Përmes një postimi në platformën “X”, Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e cila është dhe zyrtarja që ka nxitur dy vendet të vazhdojnë përpara me reformat, ka reaguar pozitivisht.
“Urime Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për vendosjen e ritmit në Ballkanin Perëndimor për të marrë parafinancim sipas Planit të Rritjes !
Kjo duhet të nxisë zbatimin e reformave kyçe për të nxitur rritjen, përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e vendeve me BE-në”, shkruan ajo.
Me këtë parafinancim Maqedonia e Veriut do të marrë 24.5 milionë euro për buxhetin e shtetit si mbështetje për zbatimin e reformave të parapara me Agjendën e Reformave, ndërsa 28 milionë euro do të injektohen drejtpërdrejt në WBIF (Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor) dhe do të përdoren për projekte infrastrukturore në Maqedoninë e Veriut.