Partia “Shqipëria Bëhet” e drejtuar nga Adriatik Lapaj ka vendosur që në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit të mbështesë Florjan Binajn si kandidat për kryetar bashkie në Tiranë.
Me anë të një postimi në Facebook, Lapaj thotë se kishin deklaruar edhe më parë që do të mbështesnin një kandidat të pavarur.
“Ky vendim bazohet te vullneti ynë i mirë dhe bindja që Shqipëria vlen mbi partinë”, shkruan Lapaj.
Postimi i Adriatik Lapaj:
Dy ditë më parë propozuam që kandidatët për bashkitë në këto zgjedhje për shkak të situatës së jashtëzakonshne duhet të vinin nga radhët e qytetarëve të angazhuar dhe jo nga marrëveshjet e partive politike.
Deklaruam se do të mbështesnim një prej kandidatëve të pavarur që do të shpallnin kandidimin në këto zgjedhje.
Duke shprehur vlerësimin për të gjithë ata që janë deklaruar, kryesia e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet” ka vendosur që në Bashkinë Tiranë të mbështesë kandidatin e pavarur Florjan Binaj.
Ky vendim bazohet te vullneti ynë i mirë dhe bindja që Shqipëria vlen mbi partinë.
Binaj shpalli kandidaturen
Kujtojme qe aktori i njohur dhe aktivisti Florjan Binaj, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet e pjesshme që priten të mbahen në 9 nëntor.
Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjetet sociale, Binaj thekson se kjo është një nismë qytetare, e pavarur nga partitë politike dhe e përqendruar te nevojat reale të kryeqytetasve.
“Na duhet një drejtues qytetar, i zgjedhur nga qytetarët, për qytetarët. Asnjë nga ne nuk mund të presë edhe 34 vite të tjera për të parë ndryshimin,” shprehet Binaj në mesazhin e tij.
Deklarata publike
Të dashur mikesha dhe miq, qytetarë të ndershëm punëshumë e fjalëpakë të kryeqytetit të Shqipërisë. Si një artist i përfshirë në çështje publike me interes Kombëtar prej 22 vitesh, si një kryefamiljar, i rritur në një kryeqytet i cili ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit dhe që shumë pak gjëra kanë mbetur ende pa u bërë ish, nisur nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë e cila nuk është gjymtyrë e asnjë partie pasi e kemi parë në 34 vite që kjo mënyrë jo e drejtpërdrejtë nuk ka qënë frytëdhënëse në përmirësimin e cilësisë së jetës tonë. Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur, të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë gjithë veten time për të përfaqsuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, elektoratin gri por pa i ndarë njerëzit në krahë, por si të barabartë, sepse asnjë qytet dhe aq më tepër kryeqyteti, nuk mund ti shërbejë vetëm palës politike që e drejton. Unë besoj se kontributi im do i shërbejë edhe pse gjysëm mandati, shpresës dhe bashkimit, përmirësimit të jetës të të gjithë kryeqytetasve.
Uroj dhe shpresoj që të gjitha partitë politike qe duan vërtet ndryshimin pavarësisht ngjyrave të bashkohen me këtë nismë dhe të kenë besim tek qytetarët ashtu siç qytetarët kanë pasur besim tek ta.