Në Shqipëri, partia më e madhe e opozitës vazhdon protestat antiqeveritare, ndërkohë që sot është mbajtur protesta e radhës, raporton Anadolu.
Protesta e thirrur nga Partia Demokratike (PD) është mbajtur para selisë së kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.
Protesta e emërtuar “Foltore”, sipas PD-së, mbahet për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe sipas saj për të denoncuar rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë fjalës në protestë tha se asgjë nuk mund të ndalë një popull të vendosur për të mbrojtur idealet e tij të lirisë.
“Besojmë në idealet tona të drejta. Dhe se besojmë se këto ideale do triumfojnë së shpejti. Këto ditë që na ndajnë është jetike që secili prej nesh të ulet rrafsh, të bisedojë me çdo qytetar, pavarësisht nga bindjet e tij politike”, u shpreh Berisha.
Duke iu drejtuar protestuesve, Berisha theksoi se duhet të bëjnë gjithçka “për një front të vërtetë opozitar”.
Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan edhe forca policore shtesë dhe u bllokuan disa akse rrugore, ndërkohë që nuk u shënuan tensione.
Në Shqipëri, PD-ja dhe parti të tjera opozitare kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave antiqeveritare edhe në javët në vazhdim.


