Ka disa javë që Liqeni i Ujmanit në veri të vendit është kthyer në një atraksion për qytetarët.
Ujmanin që dikur qytetarët e kanë parë vetëm përmes pamjeve të realizuara nga ndokush prej zyrtarëve, së fundi ata qëndruan aty dhe madje notuan disa ditë radhazi.
Por shumëçka ndryshoi që prej dy ditësh.
Të dielën që lamë pas një shpërthim i fuqishëm u dëgjua pikërisht në afërsi të Ujmanit.
E kjo bëri që shumë prej qyfterëve të cilët ishin aty të shqetësoheshin.
Shpërthimi u konfirmua edhe nga autoritetet zyrtare nga ku u tha se për fat të mirë nuk ka persona të lënduar, përpos dëmeve materiale që u shkaktuan në disa vetura.
Ndryshe lajmi.net raportoi ekskluzivisht në lidhje me këtë shpërthim, derisa duhet cekur se ndodhi 10 minuta pas largimit të autoblindës nga vendi i ngjarjes.
Ndërsa gjatë ditës së djeshme apo një ditë pas, ekipi i lajmit ka qëndruar në Ujman, nga ku edhe është vërejtur mungesa tashmë e atyre që ditëve të kaluara notonin në liqe.
Madje krejt çka gjendej dje aty ishin vetëm mbeturinat e shumta.
Aq shumë mbeturina kanë arritur të krijohen në të pjesë, saqë ngjasonte me ndonjë prej lagjeve të banuara të vendit.
Përpos kësaj, forca të shumta policore të Kosovës, por edhe nga EULEX-i kanë qëndruar dje aty. Të njëjtit janë afruar përgjatë Liqenit të Ujmanit, në mënyrë që të sigurohet vendi e që të mos ketë rrezik edhe për një shpërthim tjetër.
Në lidhje me këtë rast, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se kanë bastisur shtëpinë e një të dyshuari nga ku janë sekuestruar edhe radiolidhje të ndryshme.
Pavarësisht se i dyshuari tashmë është bërë i ditur, i njëjti vazhdon të jetë në arrati.
“Qytetarët duhet të kenë kujdes nuk po them se duhet me u brengos shumë, mirëpo duhet të kenë kujdes kudo që shkojnë, me pas kujdes vendin që frekuentojnë, ne jemi në afërsi të tyre, jemi me numër më të shtuar tash në zonat që frekuentohen nga qytetarët e vendit tonë, e rëndësishme që ne të kryejmë punën tonë, tash a paraqet rrezik ajo edhe Radoiçiqi, ka qenë në Banjska por tash nuk është më, është larguar prej vendi, dhe derisa ai grup është në liri për neve ka problem për siguri dhe duhet të jemi të kujdesshëm”, deklaroi Veton Elshani – zv/drejtori i Policisë për rajonin Veri.
Ndryshe rasti i shpërthimit të ndodhur të dielën ka nisur të hetohet nga Prokuroria Speciale.
Në lidhje me këtë kryeministri i vendit, Albin Kurti deklaroi se grupi kriminal që kreu shpërthimin në Liqenin e Ujmanit do të sillet para drejtësisë.
“Serbisë nuk i leverdis normaliteti i krijuar në veri. Duke e humbur ndikimin në këtë zonë, nervoza u bëhet agresivitet. Edhe grupe të ndryshme kriminale kanë humbur mundësinë për përfitime enorme çfarë i patën që nga çlirimi i Kosovës. Kjo është e dhimbshëm për ta dhe vështirë e pranueshme”, deklaroi Kurti.
Në anën tjetër edhe gjatë së hënës ka vazhduar vendosja e kamerave në lagje të ndryshme në pjesën veriore të Mitrovicës, kamera të cilat do të menaxhohen nga Policia e Kosovës, e që planifikohen të vendosen rreth 200 sosh.
Veriu vazhdon të jetë pjesa më e ndjeshme e Kosovës, sa i përket aspektit të sigurisë.
Si shkak, shumë prej problemeve të cilat kanë ndodhur në veri përgjatë viteve të fundit e kanë bërë atë anë shumë jo të qëndrueshme sa i përket sigurisë së jetës së qytetarëve.
Luftimi i grupeve kriminale vazhdon të jetë sfidues derisa duhet përkujtuar që kryekrimineli serb, Milan Radojciq vazhdon të jetë në arrati që nga sulmi i Banjskës, nga ku mbeti i vdekur zyrtari policor, Afrim Bunjaku./Lajmi.net/