Një ditë pas eksplodimit të një bombe në automjetin e këshilltarit të BDI-së në Kumanovë, Feriz Dervishi, policia ka kryer sot bastisje në disa shtëpi në fshatin Çerkez të Kumanovës. Në këto bastisje janë shoqëruar në polici dy persona, ndërsa janë gjetur sasi të armëve dhe municionit. Të ndaluarit janë N.B. dhe I.B. nga Kumanova.
Siç njoftoi Ministria e Brendshme, gjatë bastisjes janë gjetur një pushkë automatike dhe dy karrikues me 45 plumba, një armë zjarri markë e panjohur, e kalibrit 7,62 mm me karrikues me tetë plumba, armë zjarri,”Smit Venson” me karrikues me tetë plumba, armë zjarri ”Pat Engl”, me karrikues me gjashtë plumba, një karrikues me tetë plumba të kalibrit 7,62mm dhe një armë për gjueti ,”Bajkal” me kalibër 12×76 me katër fishekë në të.
Pas dokumentimit të rastit do të pasojnë kallëzime penale përshkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Mbajtja e paautorizuar, prodhim i armëve dhe mjeteve shperthyese” të cilët dënohen në pajtueshmëri me Kodin Penal.
Jozyrtarisht, personat që janë bastisur dhe janë marrë në pyetje nga policia kanë pastur histori zënke me Feriz Dervishin, këshilltarin në Kumanovë vetura e së cilit ishte shënjestër e një sulmi me bombë një ditë më parë. Deri tani policia nuk ka informuar nëse ngjarja e fundit ka të bëjë me mosmarrëveshjes që kanë pasur palët edhe më parë.