Gjykata e Apelit ka miratuar vendimin për të lënë në masën e sigurisë arrest në burg, biznesmenin 35 vjeçar, Eridion Muhon. Ky i fundit së bashku me 52 vjeçarin Armando Nelaj, planifikuan të vendosnin lëndë plasëse në anijen konkurruese, por tritoli shpërtheu në varkën e Nelajt, duke bërë që ai të ndërronte jetë.
Fillimisht Gjykata e Shkallës së Parë e Sarandës mori vendimin për masën “arrest në burg”, por Muho e ankimoi atë drejt Apelit, e cila miratoi vijimin e dënimit të tij në burg.
Eridion Muho, është pronar i një agjencie turistike në Sarandë, që operon e në fushën e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve për linjën Sarandë-Korfuz.
Ai së bashku me viktimën, Armando Nelaj, kishin planifikuar vendosjen e një sasie tritoli tek anija e një prej konkurrenteve të tyre, që përshkonte po të njëjtë linjë, pra atë Sarandë-Korfuz.
Teksa Nelaj po tentonte të transferonte lëndën plasëse për ta vënë tëk anija konkurrente, tritoli ka shpërthyer aksidentalisht tek mjeti lundrues i 52 vjeçarit, duke sjellë si pasojë vdekjen e tij.
Hetimi ka nisur pas ngjarjes së ndodhur në orën 22.00 të datës 24 Qershor, në afërsi të Portit Detar Sarandë, ku shpërthimi i një sasie eksplozivi i mori jetën 52-vjeçarit Armand Nelaj, biznesmen në fushën e makinerive të ndërtimit.
Nga hetimet dyshohet që Nelaj atë natë po afrohej në kalatën e Portit për të vendosur një sasi eksplozivi në një nga tragetet e linjës Sarandë-Korfuz, por në rrethana ende të paqarta eksplozivi shpërtheu aksidentalisht. Prokuroria dyshon se bashkëpunëtor i Nelajt ishte pikërisht Eridion Muho.
Biznesmeni 35 vjeçar, akuzohet për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë.