Ish-banori i “Big Brother VIP Kosova 4”, Eduard (Edi) Kuçi, ka tërhequr vëmendjen e rrjetit me publikimin e një fotografie mjaft të afërt krah Elijonës gjatë periudhës së tyre brenda shtëpisë.
Në imazhet e shpërndara në Instagram, Edi shfaqet duke e përqafuar dhe puthur në kokë Elijonën, një lëvizje kjo që erdhi pikërisht në një moment kur po aludohet fuqishëm për një krisje të mundshme mes saj dhe partnerit të saj, Klodit.
Kjo lëvizje nga ana e Edit vjen pas reagimit të Elijonës mbrëmjen e kaluar, ku ajo sqaroi se po kalon kohë me familjen e saj në Kosovë dhe mohoi kategorikisht se po krijon drama për klikime.
Ajo po ashtu bëri me dije se profili i Klodit në Instagram është hakuar, duke kërkuar nga ndjekësit të mos krijojnë histori nga gjëra që nuk i dinë.
Rikujtojmë se gjatë qëndrimit në BBVK4, Elijona dhe Edi patën përplasje të bujshme pasi ky i fundit deklaroi se ishin takuar më parë në një kafene jashtë lojës. Edhe pse Elijona e uli rëndësinë e këtij raporti duke sqaruar se nuk kishte asnjë komunikim me tendenca të tjera, imazhet e reja kanë rikthyer edhe një herë në vëmendje dinamikën e tyre të kaluar.
Publikimi i këtij imazhi ku ai shfaqet mbrojtës ndaj saj mund të jetë një mënyrë për t’i treguar solidaritet Elijonës gjatë kësaj periudhe me presion të madh nga ndjekësit. Nga ana tjetër, mungesa e një teksti sqarues në foto lë dyshime nëse bëhet fjalë për një mbështetje të pastër miqësore apo për një lëvizje për të nxitur më tej aludimet në rrjet.



