Prokuroria e Maqedonisë së Veriut njofton se me procedurë të përshpejtuar e ka proceduar një shtetas të Gjermanisë, i cili në ndeshjen në mes Shkëndijës dhe Qarabagut e ka shfaqur flamurin e Shqipërisë së Madhe me mbishkrimin “Autochthonous”
“Pas identifikimit dhe paraqitjes së kallëzimi penal nga ana e SPB Shkup, Prokuroria Themelore Publike Shkup, me procedurë urgjente, ndoqi penalisht një shtetas gjerman për vepër penale – nxitje e urrejtjes, përçarjes ose intolerancës në baza kombëtare, racore, fetare dhe të tjera”.
“Ai u akuzua sepse më 5 gusht, pak para ndeshjes së futbollit midis KF Shkëndija dhe KF Qarabagu, duke shfaqur dhe valëvitur flamurin e “Shqipërisë së Madhe” dhe me mbishkrimin “Autochthonous”, shkaktoi ndjenja urrejtjeje, përçarjeje dhe intolerance në bazë të përkatësisë etnike. Kjo u vu re nga oficerët e policisë, të cilët e privuan nga liria”.
“Bazuar në provat e siguruara në koordinim midis policisë dhe prokurorisë kompetente, Gjykata Themelore Penale Shkup menjëherë shpalli vendim me të cilin e shpalli të pandehurin fajtor dhe e dënoi me kusht prej dy vitesh burg, i cili nuk do të ekzekutohet nëse personi i dënuar nuk kryen një krim të ri në 5 vitet e ardhshme. Njëkohësisht, meqenëse ai është shtetas i huaj, Gjykata vendosi ta dëbojë atë dhe t’i ndalojë hyrjen në vend për pesë vitet e ardhshme”, thonë nga Prokuroria.
Ndërsa më tej shtojnë se MPB dhe Prokuroria Publike vazhdojnë të ndërmarrin aktivitete të koordinuara për të zbuluar dhe identifikuar autorët e krimeve të përhapjes së urrejtjes dhe intolerancës që lidhen me garat sportive.
“Menjëherë pas identifikimit të autorëve, ata do të procedohen në përputhje me kompetencat e Prokurorisë Publike”, thonë nga Prokuroria.