Nëpërmjet një komunikate për media, organizata jo-qevritare Germin, ka bërë thirrje ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të mundësuar dhe lehtësuar provcesin e votimit për bashkëatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit.
Në komunikatë bëhet thirrje që të lehtësohet procesi i votimit për mërgimtarët.
‘’Duke vlerësuar lartë kontributin dhe rolin e diasporës në të gjitha proceset politike dhe shoqërore në Kosovë përgjatë periudhave të ndryshme, institucionet tona shtetërore, veçanërisht KQZ-ja, duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet që të lehtësojë procesin e votimit për pjesëtarët e disporës në mënyrë që atyre t’u mundësohet ushtrimi i një të drejte themelore që ua garanton kushtetuta dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Konsiderojmë që pjesëmarrja e diasporës në vendimmarje përmes votës është shumë e rëndësishme për shkak se, ndër të tjera, ndikon në rritjen e legjitimitetit demokratik të të zgjedhurve duke pasur parasysh se janë mbi 350 mijë qytetarë me të drejtë vote që aktualisht jetojnë jashtë vendit”, thuhet në komunikatën e Germin.
“Me qëllim të rritjes së numrit të votuesve nga jashtë, ne si GERMIN kemi ofruar mbështetjen tonë të plotë për KQZ-në për të përmirësuar procesin e votimit nga jashtë, dhe do të zhvillojmë një kampanjë intenzive për infromimin e bashkëatdhetarëve rreth procesit të votimit në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Diaspora është pjesë e atdheut, prandaj ne duhet të bëjmë gjithçka që t’ia mundësojmë ushtrimin e të drejtës së votës, dhe rrjedhimisht pjesëmarrjes në vendimmarrje për të ardhmen e vendit tonë’’, thuhet në njoftimin e GERMIN-it.



