Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SPGPM) shprehin shqetësim për sjelljen e pahijshme dhe joprofesionale ndaj gazetarëve gjatë një ngjarjeje publike në Shkup, ku ishte i pranishëm ministri i Shëndetësisë nga radhët e VLEN, Azir Aliu.
Incidenti ndodhi kur një grup gazetarësh kërkuan deklarata, por punonjësja e ministrisë e ngarkuar me protokollin refuzoi dhe, në mënyrë fyese, iu drejtua njërës nga gazetaret me fjalët: “Gazetare e paedukatë, arrogante dhe më e pacipë”.
Në komunikatë thuhet se ata e vlerësojnë këtë sjellje si plotësisht të papranueshme dhe si një goditje serioze ndaj dinjitetit të gazetarëve, lirisë së shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Mosndëshkimi i incidenteve të tilla rrezikon të inkurajojë përsëritjen e sjelljeve të ngjashme nga shërbyes publikë.
Gjithashtu këto institucione,përshëndesin reagimin solidar të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias, të cilët, të indinjuar nga kjo sjellje, e braktisën ngjarjen në shenjë proteste kolegiale.
Për në fund, SHGM dhe SPGPM i bëjnë apel Ministrisë së Shëndetësisë që urgjentisht ta trajtojë këtë rast dhe të vendosë standarde të qarta për sjellje profesionale ndaj mediave. Kjo është thelbësore për garantimin e qasjes së gazetarëve në informacionet me interes publik dhe për ruajtjen e besimit të qytetarëve në institucione.