Xhamia e Penzbergut përjetoi mbrëmë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e saj. Në iftarin e organizuar nga Bashkësia Islame morën pjesë Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder, si dhe Ministri i Brendshëm dhe për Integrim, Joachim Herrmann – një vizitë që u vlerësua si një sinjal i qartë njohjeje dhe respekti ndaj jetës myslimane në Bavari.
Përveç dy përfaqësuesve më të lartë të qeverisë bavareze, në mbrëmje morën pjesë mbi 80 të ftuar nga fusha të ndryshme të jetës publike: përfaqësues të bashkësive fetare, të politikës dhe të kishës. Ndër ta ishin peshkopi rajonal Christian Kopp, gjeneralvikari Christoph Klingan, myftiu i Bashkësisë Islame të Boshnjakëve për Evropën Perëndimore, Senaid Kobilica, kryeimami i IGBD-së për Bavari, Izet Bibić, kryetari i Këshillit Musliman të Mynihut, Sokol Lamaj, kryetari i Unionit të Qendrave Shqiptare në Bavari, imam Xhelal Kaloshi, kryetarja e qarkut, kryetari i bashkisë Stefan Korpan, drejtori i Akademisë në Tutzing, Udo Hahn, i ngarkuari për dialog ndërfetar i Qytetit të Mynihut dhe këshilltari bashkiak Marian Offman, si dhe konsullja e përgjithshme e Maqedonisë së Veriut, Juliana Nikolova.
Në fillim të programit, imami i Xhamisë së Penzbergut, Benjamin Idrizi, me prejardhje nga Shkupi, prezantoi zhvillimin historik të xhamisë, aktivitetet e saj të shumta, si dhe rolin që ajo luan në jetën shoqërore të qytetit të Penzbergut dhe më gjerë. Të ftuarit u shoqëruan më pas në xhami, ku ai dha shpjegime mbi arkitekturën e objektit dhe vizionin e tij: një xhami si hapësirë besimi, përgjegjësie qytetare dhe dialogu.
Në fjalën e tij, Kryeministri Markus Söder vlerësoi punën shumëvjeçare të Bashkësisë Islame në Penzberg dhe të imamit të saj, duke theksuar rëndësinë e fesë si burim orientimi dhe vlerash në shoqëri. Sipas tij, besimi për shumë njerëz është një forcë që jep stabilitet dhe kontribuon në kohezionin shoqëror. Ai e cilësoi iftarin e përbashkët si shprehje të një bashkëjetese me respekt në Bavari dhe nënvizoi se shteti dhe bashkësitë fetare mund të jenë partnerë të rëndësishëm në çështjet e përgjegjësisë dhe të mirës së përbashkët.
Ministri i Brendshëm, Joachim Herrmann, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e dialogut ndërfetar. “Të ndajmë së bashku traditat, t’i afrohemi njëri-tjetrit dhe ta jetojmë me vetëdije bashkësinë – këto janë urat më të forta që mund të ndërtojmë”, u shpreh ai. Mesazhi i tij kryesor ishte i qartë: “Më mirë të flasim me njëri-tjetrin sesa për njëri-tjetrin.”
Herrmann vuri në dukje se këtë vit Kreshma e krishterë dhe Ramazani islam kanë filluar njëkohësisht – një rastësi domethënëse që, sipas tij, përçon një mesazh të fuqishëm për bashkëjetesën e feve. Ai paralajmëroi se mungesa e njohurive për tjetrin shpesh krijon terren për paragjykime dhe intolerancë, ndërsa dialogu i hapur forcon mirëkuptimin.
Prania e dy përfaqësuesve më të lartë të qeverisë bavareze në këtë iftar u interpretua nga shumë pjesëmarrës si më shumë se një vizitë protokollare. Ajo u pa si shenjë vlerësimi për angazhimin e gjatë të bashkësisë dhe si një mesazh i qartë për rëndësinë e dialogut dhe respektit të ndërsjellë në një shoqëri pluraliste.
Mbrëmja në Penzberg dëshmoi se takimi krijon besim, dialogu ndërton respekt dhe bashkëjetesa kërkon përfshirjen e vetëdijshme të të gjithëve.





















