Në vitet e fundit ka rritje drastike të çmimeve të banesave, por pavarësisht kësaj, interesimi për blerje është i vazhdueshëm dhe nuk ka aspak rënie. Agjencitë e patundshmërive thonë se në disa pjesë të Shkupit, varësisht nga lokacioni, në dy vitet e fundit është shënuar rritje e vlerës deri në 30 përqind. Ata thonë se edhe në vazhdimësi nuk pritet të ketë rënie të çmimeve për metër katrorë. Konsulentja, Frosina Ushlinovska, thotë se aktualisht çmimet më të ulëta të banesave janë në Çento, Maxhari dhe Autokomandë, ndërsa më të larta në Karposh, Aerodrom dhe Qendër.
“Rritja e çmimeve është ndryshe në secilën lagje. Në qendër ishin të larta prej para dy vitesh, kështu që edhe sot janë këtu diku. Megjithatë të themi në lagje siç janë Çairi ose Buteli, aty në dy vitet e fundit ka rritje madje deri në 30 përqind. Kështu që ka ndodhur që para 3 vitesh ta blejmë një banesë prej 65 metra për 35 mijë euro dhe të njejtën ta shesim tani për 65 mijë euro, rreth 30 mijë euro dallim për 3 vite, që është shumë. Pavarësisht faktit se çmimet vazhdimisht rriten në treg, interesimi është në vazhdimësi tek ne, nuk ka rënie”, tha Frosina Ushlinovska, Konsulente.
Sipas ekonomistit, Abil Baush, interesimi për blerjen e banesave, sidomos në kryeqytet, lidhet me faktin se Shkupi është shndërruar në kryeqendër të biznesit. Ai vlerëson se duhet të avancohet decentralizimi që të ketë përfshirje ekonomike në të gjitha komunat.
“Jep një mundësi me të cilën mund të ketë një lloj pritshmëri të të ardhurave të qytetarëve dhe kjo është një mënyrë që i sjell qytetarë edhe të vendeve të tjera të vijnë në Shkup dhe ta bëjnë kërkesën e banesave më atraktive. Kjo është një gjë që shihet është e qartë, nga ky aspekt, kur fillojnë njerëzit të kërkojnë këtë mundësi, atëherë edhe kërkesa për banesa rritet në këtë vend”, tha Abil Baush, ekonomist.
Edhe të dhënat e fundit të bankës popullore në Maqedoni tregojnë rritje të çmimeve të patundshmërive në vend edhe atë për 10 përqind. /Alsat/