Projekti për modernizimin e Bit Pazarit vazhdon të ngelet një projekt në letër. Prezantimi i këtij projekti është bërë në vitin 2013, por asnjë iniciativë nuk është marrë për fillimin e të njëjtit, ndërsa tregtarët që punojnë aty vazhdimisht ankohen për kushtet që mbizotërojnë dhe për stërzgjatjen e këtij projekti që asesi nuk shohin realizimi e tij.
“Kushtet i kemi të vështira siç e shihni edhe vet, premtime 3 vite me radhë na japin, papastërti e madhe, nëpër shi, nëpër borë, nxehtë kemi sa të duash, malli prishet. Premtimet vetëm janë të dhëna, premtime kote janë ato…U bënë shumë vite, me qenë një vit në rregull. Por tani u bënë shumë, realizimet askund, i kanë vetëm fjalë”, tha një qytetar.
“Ne momentalisht punojmë në kushte më të vështira që nuk munden me qenë në Evropë dhe ato projekte që po i tregojnë që kanë me u realizua, ka 15 vite që na mashtrojnë se do i bëjnë ato projekte, secilën herë kur vjen koha e votimeve për kryetar komune, i përmendin ato projekte dhe pasi të votohet, të njëjtat projekte harrohen”, deklaroi një qytetar.
“Unë mendoj që vetëm premtime japin sa të duash, por realizime nuk ka. Premtime ka sa të duash, si çdoherë që vetëm premtojnë”, u shpreh një qytetar.
Me premtimet e Izet Mexhitit, thonë qytetarët, janë mbushur plot, por nuk ka asnjë realizim të asaj që e ka premtuar. Më 12 mars të vitit 2013, pak ditë para zgjedhjeve lokale të të njëjtit vit kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti shpalosi projektin tre dimensional për modernizimin e Bit Pazarit, duke fituar kështu mandatin e tretë në këtë komunë.
“Kemi marrë parasysh gjitha faktorët, gjitha elementet që ta ruajmë Bit Pazarin dhe të krijojmë kushte modern, kushte me standarde që do të jetë më mirë për vetë tezgaxhinjtë, për ata që e frekuentojnë Bit Pazarin dhe poashtu që arkitektura e projektit të ri të përshtatet Çarshisë së vjetër”, ka deklaruar më 12.03.2013 kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Premtimet vazhduan sërish. Një vit më vonë më 11 janar të vitit 2014, kreu i Komunës së Çairit sërish me premtime, për të njëjtin projekt.
“Në përfundim janë procedurat për sjelljen e planit detal urbanistik, pak është vonuar përshkak se u sjellë plani i ri gjeneral urbanistik, që nënkupton se duhet të sjellen plane të reja. Mendoj që nëse përfundojmë me procedurën së shpejti, diku nga prilli apo maji, mund të jetë edhe fillimi i punimeve”, ka thënë Mexhiti më 11.01.2014.
Kështu edhe pas gjithë kësaj periudhe të gjatë projekti i premtuar dhe ripremtuar disa herë nga Izet Mexhiti nuk duket askund.
Ndërkaq për këtë çështje ka reaguar dje edhe Oda e Tregtarëve të cilët thonë se shkak për zvarritjen e këtij projekti është neglizhenca e Komunës së Çairit.
“Nuk mund të arsyetohet Komuna e Çairit se ajo është institucion. Nuk është një person si Ekrem Doleki që po jep një kërkesë dhe mi kalu ato labirintet burokratike sepse jam një qytetar i thjeshtë. Mirëpo kur është në pyetje institucioni, komunë me Qytetin e Shkupit dhe Ministrinë e Transportit dhe me institucione tjera kanë mundur këtë punë që ka zgjatur 7 vjet ka mundur më së shumit për dy vjet ta kryejnë”, ka thënë Ekrem Dolek, kryetar i Odës së Tregtarëve.
Televizioni Shenja kontaktoi edhe Komunën e Çairit në lidhje me këtë projekt, por ata nuk pranuan të prononcohen.
Projekti i promovuar vite më parë parashikonte mobilizimin e tregut dhe zhvendosjen e shitësve nga rruga në treg, në një hapësirë dy katëshe prej 8 mijë metra katror, ku mbi tregun ishin parashikuar vende parkimi.
Bit Pazari, qytetarët të zhgënjyer nga… by tvshenjaofficial