18 March
Dhjetëra tabela që tregojnë për praninë e zyrave të avokatëve dhe të përkthyes gjyqësore qëndrojnë të varura në hyrje të barakave thuajse të rrënuara në rrugën ” 1737” ose ndryshe e njohur si rruga e avokatëve në Komunën Qendër të Shkupit. Rruga në fjalë është e shkatërruar ndërkohë që numri i madh i makinave të parkuara vështirëson edhe më shumë qarkullimin e këmbësorëve. Një pjesë avokatëve që pranuan të flasin para kamerave ankohen se institucionet kompetente nuk kujdesen për zgjidhjen e problemit me rrugën dhe kushtet në zyrat e tyre.
Duhet te jetë e rregulluar më mirë në kuptimin që barakat të rikonstruohen, të legalizohen. Kam dëgjuar se disa nuk janë të legalizuara, janë ndërtime të egra. Rruga duhet të rikonstrohet ndërsa lokacioni është shumë i mirë, menjëherë përballë gjykatës dhe njerëzit e din se ku duhet të drejtohen – tha avokatja Zhaklina Petreska.
Të revoltuar janë edhe qytetarët që për çdo ditë frekuentojnë këtë rrugë.
“Rruga është shumë e ngushtë, parkohen shumë makina, kishte disa ndërhyrje por si duket me kohë do të rrënohen objektet ndoshta edhe kjo është arsyeja që nuk bëjnë investime. Unë jam këtu prej vitit 1952, jam i lindur këtu, momentalisht nuk banojë këtu por kam zyrën time këtu”.
“Shumë është e shkatërruar rruga, shumë makina nga bit pazari vijnë dhe parkohen këtu edhe pse nuk punojnë këtu e ne që jemi këtu nuk kemi vend ku të parkohemi. Rruga është katastrofë këtu”.
“Nuk e frekuentoj shpesh këtë rrugë por ajo është katastrofë”.
“Rruga është në gjendje shumë të keqe”.
Ndërkohë, nga komuna Qendër thanë se rruga “1737” do të rikonstruohet pasi të zgjidhet problemi me shpronësimin e tokës dhe për këtë është njoftuar ministria përgjegjëse. Ndërsa lidhur me legalizimin e barakave ku janë të vendosura zyrat e avokatëve, nga komuna Qendër thanë se vetëm 1% e tyre janë të legalizuara.
Melihate Rustemi