31 March
Përmasat shqetësuese të ndotjes së ajrit, kanë nxitur fëmijët që të kërkojnë masa të menjëhershme për t’i dhënë fund helmimit nga grimcat PM 10, të pranishme në shifra alarmante në qytetin e Shkupit por dhe qytetet e tjera të Maqedonisë. Nxënësit dhe profesorët e shkollës ndërkombëtare “Nova” sot dolën në rrugë për t’iu treguar autoriteteve se ndërmarrja e masave është nevojë urgjentë, pasi në të kundërtën pasojat më të mëdha ndjehet në shëndetin e qytetarëve dhe sidomos fëmijëve. Më të vegjlit në marshin kundër ndotjes në fytyrat e tyre kishin vendosur maska dhe secila me porosi të veçantë për vetëdijesimin por dhe për pasojat nga ajri helmues.
Këtë vit ndotja e ajrit ishte shumë shqetësuese dhe për këtë vendosëm që fëmijët të punojnë në projekte që kanë të bëjnë me ndotjen dhe masat që mund të merren për të gjetur zgjidhje për të penguar ndotjen në Shkup. Ne vendosëm por edhe vetë fëmijët duan që të kycen në aktivitete me qëllim që të dëgjohet edhe zëri i tyre – tha Natasha Kardova, shkolla Nova.
Shkupi, në vitet e fundit është ndër qytetet më të ndotura jo vetëm në Maqedoni por dhe në rajon. Shumë herë janë premtuar masa për helmimin e qytetarëve, por zbatimi i tyre nuk ka dhënë efektin e duhur.
Senat Zylbehari