Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, është hapur qendra tregtare “Diamond Mall”, e ndërtuar nga grupacioni “Limak” nga Türkiye, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, ministri i Financave, Fatmir Besimi, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Ljupço Nikolovski, kryetari i nderit i grupacionit “Limak”, Nihat Özdemir, ambasadori turk në Shkup, Hasan Mehmet Sekizkök, përfaqësues të institucioneve turke në vend, kryetarë komune dhe shumë të ftuar.
Özdemir, në fjalën e tij në hapje tha se janë të emocionuar të hedhin një hap të rëndësishëm në projektin “Diamond of Skopje”, e vendosur në zemrën e Shkupit dhe i përbërë nga hotel, vendbanim, zyra dhe qendër tregtare.
Sipas Özdemir, “Diamond Mall”, me një madhësi prej 48 mijë metra katrorë, është një investim që do të kontribuojë në rigjallërimin e ekonomisë dhe punësimit jo vetëm të Shkupit, por edhe vendit dhe Ballkanit.
“‘Diamond Mall’, me një përzgjedhje të shopingut i përbërë prej 150 kompani ndërkombëtare, me rrugën ‘gourmet’, i cili do t’i bashkojë vizitorët me kuzhina dhe shije të ndryshme, me ‘Dream Zone’-ën, e cila është e para e këtij lloji në Ballkan, me një zonë edukimi dhe argëtimi për fëmijët që shtrihet në një sipërfaqe prej 3.500 metrash katrorë dhe që e ndërthur imagjinatën me edukimin, do të jetë një hapësirë jetese përtej një qendre tregtare. Qendra tregtare, hapjen e së cilës e bëjmë sot, është hallka e fundit e projektit ‘Diamond of Skopje’ që ka një madhësi projekti prej 350 milionë euro dhe do të mundësojë punësim për 1.000 persona nga sektorë të ndryshëm”, tha Özdemir.
Duke informuar rreth projektit “Diamond of Skopje”, Özdemir tha se projektin e përbërë prej një hotel me 142 dhoma, të cilin e hapën për shërbim në prill të vitit 2021, kullat me 772 rezidenca dhe 24 home-office, do ta përfundojnë plotësisht në fund të vitit 2024.
Ai e cilësoi si lumturi dhe krenari të madhe për ta realizimin e këtij projekti në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, të cilën e cilësojnë si fqinj historik dhe kulturor. “Përderisa përgatitemi për të festuar 100-vjetorin e Republikës sonë të Türkiyes në vetëm 9 ditë, qëllimi ynë, nën udhëheqjen e Presidentit tonë (Recep Tayyip Erdoğan), është të çojmë sipërmarrësit, përvojën dhe njohuritë e tyre në zemrën tonë, në Ballkan”, u shpreh ai, duke falënderuar të gjithë kontribuuesit.
Ambasadori Sekizkök nga ana e tij theksoi se ndërmarrja e një projekti të madh ndërtimor, veçanërisht në një qytet si Shkupi, i cili ka një cilësi historike dhe në këtë vend që është zemra e tij, kërkon vizion dhe përvojë.
Sipas tij, “Diamanti i Shkupit” u krijua në një mënyrë mbresëlënëse në procesin e pashmangshëm të evolucionit të qyteteve. “Është ndërtuar me një mirëkuptim në përputhje me frymën e kohës. Ashtu siç i ka hije emrit, është integruar bukur në strukturën e Shkupit. Ky projekt special i sjellë në Shkup përbëhet nga komponentë të ndryshëm. Të gjitha pjesët e tërësisë do të përfundojnë së shpejti. ‘Diamond Mall’, të cilin e hapëm sot, ka sjellë një dimension pasurues në kulturën urbane në Shkup me elegancën e saj si xhevahir dhe stilin e veçantë. Nuk kam dyshim se do të jetë burim frymëzimi për urbanistët e kohës sonë”, theksoi ambasadori.
Drejtori i Përgjithshëm i Halkbank, Osman Arslan, shprehu kënaqësinë për mbështetjen që kanë dhënë për realizimin e projektit. “Ne jemi banka e tretë më e madhe e Türkiyes. Por me kënaqësi dua të tregoj se jemi bërë edhe banka e katërt më e madhe e Maqedonisë së Veriut. Madhësia jonë si Halkbank Maqedoni e Veriut ka arritur në një miliardë e gjysmë euro. Kapitali ynë është 260 milionë euro dhe jemi të lumtur që jemi banka e dytë më e madhe në Maqedoninë e Veriut për sa i përket kredive komerciale. Ne besojmë në të ardhmen e Maqedonisë së Veriut dhe si Halkbank Maqedoni e Veriut, ne do të vazhdojmë të mbështesim ekonominë e saj dhe të mbështesim bizneset”, tha Arslan.
Pas fjalimeve, pjesëmarrësit e prenë shiritin e hapjes, ndërsa të ftuarit, përfshirë kryeministrin Kovaçevski, shëtitën në qendrën tregtare.