Një zjarr i madh ka përfshirë një pallat trekatësh në qendër të qytetit të Peshkopisë, rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer fillimisht në katin e tretë të godinës dhe janë përhapur me shpejtësi në të gjithë ndërtesën, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Zjarri ka shkaktuar panik në mesin e qytetarëve, pasi ndërtesat në zonë ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës, duke rritur rrezikun e përhapjes së flakëve. Fatmirësisht është bërë evakuimi në kohë i banorëve dhe nuk raportohet për të lënduar.
Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende, ndërkohë që policia po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave. Dyshimet e para janë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.