Deputeti i PD, Luan Baçi ka reaguar kundër nismës për shkrirjen e bashkive Divjakë dhe Patos, duke u bërë thirrje banorëve të këtyre zonave të kundërshtojnë ndryshimin territorial.
Baçi deklaron se do të jetë në krah të qytetarëve dhe se do të mbështesë përpjekjet e tyre kundër kësaj reforme.
Reagimi:
Të nderuar qytetarë të bashkive Patos dhe Divjakë, demokratë, socialistë, me bindje të ndryshme politike dhe të paangazhuar politikisht, Unë, si deputet dhe përfaqësues i qarkut Fier në Parlament, i bashkohem shqetësimit tuaj për shkrirjen e dy bashkive, Patos dhe Divjakë. Jam me ju dhe në dispozicionin tuaj për çdo lloj vendimmarrjeje që do të merret nga ana juaj! Kjo vlen edhe për të gjitha bashkitë e tjera të vendit që PS kërkon t’i shkrijë: Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Prrenjas.
Qarku Fier ka në total 16 deputetë, nga 140 që ka Parlamenti i Republikës së Shqipërisë.
Në qoftë se 16 deputetët e qarkut shprehen publikisht se janë pro qytetarëve dhe kundër shkrirjes së dy bashkive të rëndësishme të qarkut, si dhe deklarojnë votën e tyre kundër shkrirjes së bashkive, ashtu si janë deklaruar të gjithë deputetët e opozitës, atëherë shqetësimi i qytetarëve merr zgjidhje të menjëhershme.
Pra, deputetët duhet të bëjnë thjesht detyrën që u kanë ngarkuar qytetarët.
Detyra jonë është t’i përfaqësojmë ata në Parlament dhe të shprehim aty vullnetin e tyre.
Vullneti i qytetarëve, në rastin konkret të bashkive Divjakë dhe Patos, demokratë, socialistë, të partive të tjera dhe të paangazhuar politikisht, është unanim:
Këto dy bashki nuk duhet të shpërbëhen!
Pyetje për 12 deputetët e Partisë Socialiste të qarkut Fier, nga qytetarët e dy bashkive të qarkut, Patos dhe Divjakë, të cilat, me propozim të partisë së tyre, do të shkrihen dhe nuk do të ekzistojnë më si bashki.
Zonja dhe zotërinj, 12 deputetë të PS-së së qarkut Fier,
A jeni dakord që Patosi t’i bashkohet Bashkisë Fier?
A jeni dakord që Divjaka t’i bashkohet Bashkisë Lushnjë? Në qoftë se PO, pse nuk dilni dhe të argumentoni me fakte pse duhet të shkrihen këto dy bashki?
Në qoftë se JO, pse nuk dilni dhe të argumentoni, përsëri me fakte, pse nuk duhet të shkrihen këto dy bashki?
Në protestë kundër propozimit të PS-së kanë dalë socialistët në shumicë dërrmuese. Madje, nuk kam dëgjuar asnjë zë socialisti që të jetë dakord me shkrirjen e këtyre dy bashkive të qarkut Fier.
Ju, deputetë të PS-së, a jeni dakord me socialistët tuaj, që ju kanë votuar, për mosshkrirjen e bashkive Patos dhe Divjakë?
Apo jeni dakord me vendimmarrjet absurde të udhëheqjes suaj të korruptuar?
Në qoftë se jeni dakord dhe mbështesni votuesit tuaj, anëtarët e partisë suaj, gjë që ka të ngjarë dhe dua të besoj se kështu duhet të jetë, pse nuk i qetësoni qytetarët duke i garantuar se vota juaj në Parlament do të jetë pro qytetarëve që ju kanë votuar dhe jo pro korrupsionit të qeverisë suaj?
“E plotfuqishmja” juaj, e pandehura e drejtësisë, e mbrojtur me kartonët tuaj në Parlament dhe që nuk i dorëzohet drejtësisë, zonja Belinda Balluku, foli në emrin tuaj, me kompetenca të plota, ditën e konsultimit të përbashkët me qytetarët e qarkut në Fier dhe u garantoi votuesve tuaj se qarku Fier ishte me gjashtë bashki dhe do të mbetej përsëri me gjashtë bashki.
Pra, edhe Patosi edhe Divjaka nuk do të zhdukeshin; do të vazhdonin të ekzistonin si bashki.
Çfarë ndodhi që tani nuk flisni?
Qëndrimi “as mish, as peshk” nuk ju nderon.
Shkrirja e bashkive Patos dhe Divjakë nuk është bërë ende. Fati i këtyre dy bashkive varet nga 12 votat tuaja në Parlament.
Deklaroni votën pro qytetarëve dhe votuesve tuaj. Në të kundërt, mos vazhdoni prapë avazin për t’i gënjyer dhe mashtruar, siç keni bërë gjithmonë!



