Një incident me armë zjarri është raportuar mbrëmjen e së dielës në fshatin Bajnicë të Kaçanikut, ku persona të panjohur kanë shtënë me armë në ajër.
Sipas policisë, rreth orës 20:15, stacioni policor në Kaçanik ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në zonën malore të këtij fshati.
Njësitet reaguese dhe hetimore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku dyshohej se disa persona, të cilët lëviznin me një veturë xhip të zezë me targa vendore, kishin shtënë me armë automatike të tipit AK-47, duke zbrazur rreth dy karikatorë në ajër.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, hetuesit kanë gjetur 49 gëzhoja, ndërsa më pas kanë arritur të lokalizojnë edhe veturën e dyshuar, e cila është gjetur e parkuar në një autoservis.
Policia ka identifikuar një person të dyshuar me inicialet E.S., 26 vjeç, tek i cili është sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe 35 fishekë.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor në Kaçanik, ku është intervistuar. Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij është iniciuar rasti “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa më pas është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.


