Rreth 25 mijë mësimdhënës, kujdestare dhe të punësuar në çerdhe në tërë vendin, sot nuk mbajnë mësim. Fëmijët në çerdhe i pranuan zëvendës të kujdestareve, megjithatë proces edukativ nuk zhvillohet. Shumica e fëmijëve janë në një hapësirë pa respektim të protokolleve. Mësimdhënësit kërkojnë rritje të rrogave për 18,4% dhe nuk do të tërhiqen nga kërkesa e tyre derisa e njëjta nuk plotësohet. Në takimet me Qeverinë, nuk ia kanë thënë numrin e saktë të rritjes së rrogave të tyre, andaj ishin të detyruar që të dalin dhe ta shprehin revoltin e tyre përmes grevës.
“Edhe mësimdhënësit të kenë mundësi të blejnë vaj për ushqim, sepse rroga e tyre për momentin nuk mjafton për asgjë. Nuk mundemi t’i mbushim shportat tona ashtu siç duhet, ashtu siç duhet të jetojmë, të mbijetojmë, siç thonë mësimdhënësit dhe të gjithë të tjerët që punojnë në arsim, shkencë dhe kulturë”, deklaroi Lepa Spasenovska Popovska, nënkryetare e SAShK-ut.
“Të gjithë ne, pa marrë parasysh se çfarë profesion kemi, dolëm në rrugë, fatkeqësisht sot bankat shkollore mbetën të zbrazëta, por ky nuk është faji ynë“, tha Katerina Kuzmanovska, mësimdhënëse.
“Greva është e drejta demokratike, u lejuam përkatësisht e bëmë atë që bordi i grevistëve e kërkoi prej nesh, u siguruam një hapësirë, me të gjitha kushtet, ata janë kolegë tanë. Siç e dini, e drejta ligjore është që procesi mësimor të zhvillohet“, pohoi Aleksandar Sërbinovski, drejtor i shkollës së mesme “Vllado Tasevski”.
Sipas ministrit, greva duhej të ishte hapi i fundit. Thotë se nëpër vendin ka pasur mësimdhënës dhe nxënës të cilët deshën të kenë mësim, megjithatë drejtorët u kanë thënë se e përkrahin grevën e përgjithshme. Paralajmëron se vazhdojnë me dialogun sot apo nesër.
“Ne si qeveri në disa situata kemi dëshmuar se i përkrahim mësimdhënësit që të marrin rroga më të larta. Atë e kemi dëshmuar, në 2018 me 5%, 2019 me 5% plus, në 2020 me 10%. Gjithsej i bien 21%”, tha Jeton Shaqiri, ministër i MASh-it.