Shkolla fillore “ Sali Lisi” në fshatin Dobërdoll të Komunës së Vrapçishtit, nuk ka shumë kohë që është restauruar, por në të njëjtën nuk janë ndërtuar zhveshtore për nxënësit.
Drejtori i shkollës, Nexhmi Ibrahimi, shpreson se së shpejti zhveshtoret do të ndërtohen me kontributin e banorëve, njetë siç kanë bërë edhe më sallën sportive, të cilën e ka restauruar r dhe kompletuar Bujar Kadriji, banorë i këtij fshati.
“ Nuk i ka zhveshtoret, por në të ardhmen besoj se edhe atje do të ndërmarrim diçka. Përsëri do të shkojmë në këtë forme siç kemi shkuar me Bujarin, është e obliguar Ministria e Arsimit, por të obliguar ishin edhe për sallën, por s’bënë asgjë, tani për momentin do të mundohemi vetëm në këtë aspekt, me vetfinancim, me ndihmesë të njerëzve të vullnetit të mirë. Zakonisht janë përdorur klasat që kanë qenë të lira për të luajtur atë funksion, më problematike është tek gjinia femërore gjatë orëve të sportit”- tha drejtori i shkollës fillore “ Sali Lisi, Nexhmi Ibrahimi.
Kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani, thotë se për ndërtimin e zhveshtoreve është e obliguar Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por se nga ky institucion gjithmonë kanë thënë se nuk kanë mjete të mjaftueshme në buxhet.
“Për atë pjesë është e obliguar Ministria e Arsimit. Ka edhe me vetfinancim, po është pjesë shumë e vogël, kemi dorëzuar edhe projektet ne, por gjithmonë na është thënë se nuk ka mjete në buxhet. Arsye. Tani të shohim, kemi bërë kërkesë për vitin 2019, për rikonstruim të brendshëm”- tha kryetari i Komunës së Vrapçishtit, Isen Shabani.
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për Almakos thonë se në shkollën fillore “Sali Lisi” nuk ka zhveshtore, sepse nga ana e MASH nuk është ndërtuar as sallë sportive. Në rastet kur MASH ndërton sallën sportive, në kuadër të projektit përfshihet edhe ndërtimi i zhveshtoreve për nxënësit, thonë nga MASH.
“Të gjitha ndërtimet dhe rekonstruimet e sallave sportive shkollore të cilat i ka ndërtuar Ministria e Arsimit janë në kohë plotësisht të pajisura në përputhje me të gjitha standartet, pra projekte të plota që përfshijnë zhveshtoret për nxënësit si dhe qasje për nxënësit më aftësi të kufizuara. Deri tani në kuadër të projektit “145 salla sportive”, në shkollën fillore “Sali Lisi” në Vrapçisht të Dobërdollit, nuk ka investim të bërë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës” -thuhet në përgjigjen e MASH.
Megjithstë, nga kjo ministri thonë se është planifikuar të investohet edhe në këtë shkollë, në përputhje me mundësitë buxhetore.
Përgatiti: Evi Shkopi
Almakos.com