Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, sot për herë të parë e kuptoi se për më shumë se dy vjet shkolla “Rilindja” në Llojan nuk ka ujë të pijshëm. Kjo për shkak të prezencës së lartë të nitrateve, gjë që e ka vërtetuar edhe Qendra së Shëndetit Publik në Kumanovë.
TV21 gjatë fundjavës riktheu temën e pranisë së arsenit afër shkollës në Llojan si dhe mungesën e ujit të pijshëm. Mësuesi Afrim Zimeri thotë se ujë është i papijshëm për të gjithë fshatin, ndërsa nxënësit ujin e marrin nga shtëpia.
“Përbërja e arsenit në ujë është 50 % më tepër se sa është e lejuar me norma ndërkombëtare. Meqenëse shumë banor të vendbanimit tonë fshatit Llojan me ujë të pijshëm shërbehen nga puset d.m.th. ai ujë përmban arsen dhe shkakton sëmundje kancerogjene”, deklaroi Afrim Zimeri, mësimdhënës.
Nga ana tjetër, drejtori i shkollës Idriz Sulejmani për Tv21 tregoi se uji i çezmës që vjen nga mali, është në sasi shumë të vogla, e nganjëherë nuk ka fare, ndërsa edhe uji i pusit është ndaluar për pije. Komuna e Likovës gjithashtu ka njoftuar se po kryhen punët ndërtimore të ujësjellësit që të eliminohet kontakti i xeheve me ujin dhe të përdoret uji i pendës së Likovës për pije.