3 March 2018 / 16:00
Pas kronikës së transmetuar një ditë më parë në ALSAT në të cilën shihen kushtet katastrofale të tualeteve të disa shkollave fillore të komunës së Çairit, kjo e fundit ka planifikuar që të thirr në mbledhje të gjithë drejtorët e shkollave për të kërkuar sqarim nga to përse hapësirat e tualeteve janë lënë në atë gjendje. Zëdhënësi i Çairit tha se pas publikimit të fotografive nëpër shkolla komuna ka planifikuar rikonstruimin e tyre, gjatë periudhës që vjen. Ndërkaq nga komuna e Butelit në territorin e së cilës bien disa nga shkollat që janë evidentuar si më problematike në këtë aspekt, paralajmërojnë kontrolle të rrepta dhe ndërmarrjen e masave ligjore për përmirësimin e gjendjes. Nga ministria e Arsimit dhe Shkencës thanë se shkolla “Penko” e cila rezulton të jetë në gjendje më të rëndë, nuk ka dorëzuar kërkesë deri në ministrinë e Arsimit për rinovimin e hapësirave të tualeteve pavarësisht se dikasteri i Arsimit në muajin gusht kishte kërkuar nga shkollat e gjithë vendit që të paraqesin nevojat e tyre për intervenime të caktuara në hapësirat e shkollave. Nga MASH poashtu thanë se komunat kanë kompetenca më të mëdha në raste të tilla.
Alsat M