Shkolla e Mesme në Saraj ka reaguar publikisht pas raportimeve dhe publikimeve në disa portale, ku emri i institucionit është lidhur me një rast dhune që po qarkullon në opinion.
Në reagimin zyrtar, drejtoria e shkollës thekson se rasti në fjalë nuk ka ndodhur në ambientet e shkollës dhe nuk ka asnjë lidhje me nxënësit e saj.
“Ju njoftojmë me përgjegjësi të plotë se rasti i përmendur nuk ka ndodhur në shkollën tonë dhe nuk ka asnjë lidhje me nxënësit e shkollës sonë”, thuhet në reagim.
Nga drejtoria bëhet e ditur se institucioni funksionon mbi bazën e Kodeksit të Etikës dhe Rregullores së Brendshme, ku çdo formë dhune, diskriminimi apo sjelljeje e papranueshme trajtohet me seriozitet maksimal dhe me masa të menjëhershme disiplinore.
Njëkohësisht, shkolla u ka bërë thirrje mediave dhe individëve që të tregojnë përgjegjësi profesionale dhe morale, duke verifikuar informacionet para publikimit, në mënyrë që të mos dëmtohet padrejtësisht imazhi.
Në fund, drejtoria thekson se mbetet e përkushtuar për krijimin e një ambienti të sigurt, edukativ dhe të shëndetshëm për të gjithë nxënësit.


